Incidenti me Zemajn, avokati Berisha: Klienti im ishte viktimë
Avokati Besnik Berisha është deklaruar në lidhje me incidentin e sotëm të ndodhur në Prishtinë mes deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, dhe një qytetari.
Ai tha se Zemaj ka qenë viktimë në këtë rast.
“Lidhur me incidentin e ndodhur sot në sheshin e Prishtinës, ku klienti dhe miku im, deputeti Armend Zemaj, u përball me fyerje dhe sulm të rëndë, njoftoj këdo që ka interes se z. Zemaj nuk ka qenë në asnjë rrethanë nxitës apo agresor i situatës”.
“Përkundrazi, ai ka qenë viktimë e një provokimi dhe fyerjeje të rëndë, pasuar nga një sulm fizik i paprovokuar, për të cilin është dhënë deklaratë dhe zhvilluar intervistë zyrtare në Polici”, ka thënë Berisha.
Ai tha se ngjarjen e kanë “sqaruar” në tërësi bashkë me Zemajn në Polici “dhe faktet tashmë janë të dokumentuara në duart e hetuesve dhe për dijeni të Prokurorisë”.
Avokati tha se “personi që në raportimet e para është paraqitur si viktimë, në realitet ka qenë sulmuesi dhe agresori i vetëm në këtë rast”.
“Pavarësisht se nuk ka pasur asnjë faj apo kontribut në incident, z. Zemaj ka shprehur keqardhje për situatën, duke manifestuar dinjitet dhe përgjegjësi publike”, u shpreh avokati Besnik Berisha.
Për rastin ka folur edhe vetë Zemaj, duke thënë se ka vepruar në afekt, teksa edhe kërkoi falje publike për ngjarjen.
Ndërkaq në media është paraqitur edhe personi tjetër i përfshirë në këtë incident. Ai ka thënë se “më ka fyer në grua dhe në nënë”.



