
Incizimet me prokurorin e Hagës – Zeka: Richard Grenell më tha se kam “bombën atomike” për rrëzimin e Gjykatës Speciale
Gazetari Milaim Zeka ka treguar detaje lidhur me disa audio-incizime të publikuara, në të cilat dëgjohet biseda në mes të Alan Tieger, prokuror i lartë në Hagë me Halit Sahitajn, që ngrenë dyshime për fabrikimin e dëshmive kundër ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.
Zeka në Debat Plus ka theksuar se këto incizime i ka siguruar përmes “kanaleve të tij” dhe më pas ka kontaktuar me disa gazetarë ndërkombëtarë, përfshirë edhe Richard Grenellin.
“Njëri nga kontaktet e mia ka qenë Richard Grenell, i cili ka ardhur në Tiranë dhe më ka takuar bashkë me Ardian Krasniqin, djalin e Osman Krasniqit që jeton në Londër. Djali i tij ka pasur shok klase dhëndrin e Trump-it”, ka deklaruar Zeka, duke shtuar se interesimi i amerikanëve për këto incizime ka qenë i madh, sidomos pas tërheqjes së prokurorit Jack Smith nga Specialja.
Sipas Zekës, pasi Grenell i dëgjoi incizimet, i ka thënë se “ti e ke bombën atomike për ta përmbysur komplet Gjykatën Speciale”, duke i sugjeruar ta realizojë një dokumentar 20-minutësh në anglisht dhe ta shpërndajë ndërkombëtarisht, përfshirë në Kongresin Amerikan, Bundestag dhe në institucione të tjera evropiane.
Zeka ka deklaruar pas këtij takimi, është kthyer në Prishtinë dhe ka biseduar me Osman Krasniqin për të mbuluar shpenzimet e realizimit të dokumentarit. Por sipas tij, përkrahja nga rrethet afër ish-presidentit Hashim Thaçi ka munguar.
“Osman Krasniqi flet me njerëz të PDK-së, shkon bisedon me vëllezërit e Thaçit dhe i pyet: ‘A e ndihmojmë Milaim Zekën?’ Ata përgjigjen: ‘A Milaimit po i beson a?’”, tregoi ai duke shtuar se është përballur me gjuhë fyese dhe përçmuese nga ta.
Madje, Zeka ka akuzuar këshilltarin e Thaçit, Ismail Syla, për përhapjen e një shpifjeje serioze kundër tij. “I ka thënë dikujt: ‘A e dini çfarë ka deklaruar Milaim Zeka në Hagë kundër Hashimit? Ka thënë se kur ia kanë djegur nënën gjatë luftës, Thaçi ka dhënë urdhër’. Unë këtë e kam me screenshot. Kurrë në jetë nuk kam dëshmuar në Hagë”, ka theksuar ai.