
India dhe Britania arrijnë marrëveshje tregtare prej 6 miliardë funtesh, më e madhja që prej Brexit-it
Kryeministri indian Narendra Modi ka nënshkruar një marrëveshje tregtare të lirë me kryeministrin britanik Sir Keir Starmer, me vlerë miliarda funte.
Sipas marrëveshjes, “BBC” raporton se makinat dhe uiski britanik do të eksportohen më lirë drejt Indisë, ndërsa tekstilet dhe bizhuteritë indiane do të hyjnë me kosto më të ulët në tregun britanik.
Kjo marrëveshje u arrit pas tre vitesh negociatash dhe përfshin gjithashtu një plan të ri mes Indisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për të luftuar migrimin e paligjshëm.
Bëhet e ditur se gjatë nënshkrimit në rezidencën zyrtare të kryeministrit në Chequers, Sir Keir e cilësoi marrëveshjen me Indinë si “marrëveshjen më të madhe dhe më domethënëse ekonomikisht” që Britania ka arritur që prej Brexit-it.
“Kjo marrëveshje tani është nënshkruar, vulosur dhe dorëzuar. Britania ka negociuar një marrëveshje të tillë prej vitesh, por është kjo qeveri që e përmbylli me sukses. Me këtë po japim një mesazh të fuqishëm se Britania është e hapur për biznes – dhe kjo po gjeneron besim të madh”, ka thënë Starmer.
Sipas tij, bëhet e ditur se marrëveshja do të krijojë më shumë se 2,200 vende të reja pune në Britani, ndërsa kompanitë indiane do të zgjerojnë aktivitetin e tyre në Mbretërinë e Bashkuar dhe firmat britanike do të kenë më shumë mundësi biznesi në Indi.
Qeveria britanike ka thënë se marrëveshja do të rrisë ekonominë britanike me 4.8 miliardë funte në vit.