
India mbyll hapësirën ajrore për linjat ajrore pakistaneze
Bisedë telefonike e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së me Kryeministrin pakistanez – Pakistani përsëriti sot se e konsideron një sulm nga India “të pashmangshëm”
India ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për linjat ajrore pakistaneze dhe Forcat Ajrore pakistaneze, disa ditë pasi Pakistani bëri të njëjtën gjë për linjat ajrore indiane.
Vendimi vjen në një kohë kur janë përshkallëzuar tensionet midis dy vendeve, pas një sulmi vdekjeprurës ndaj turistëve në Kashmir. “Hapësira ajrore e Indisë do të jetë e mbyllur nga sot, 30 prill, deri më 23 maj”, njoftoi qeveria.
Pakistani përsëriti sot se e konsideron një sulm nga India si “të afërt”, i cili mund të ndodhë brenda dy ditëve të ardhshme. “Pakistani nuk do të sulmojë i pari, por nuk do të hezitojë të përgjigjet”, paralajmëroi Ministri i Jashtëm Ishaq Dar, pasi kryeministri indian Narendra Modi thuhet se i dha ushtrisë një “çek të bardhë” për të organizuar përgjigjen e saj.
Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif foli në telefon me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio dhe akuzoi Indinë se po përpiqet të përshkallëzojë situatën.
Sharif i kërkoi kreut të diplomacisë amerikane të ushtronte presion mbi Nju Delhin që të mbante një “qëndrim të përgjegjshëm” dhe të ulte tensionet.
Më parë, Departamenti i Shtetit tha se Rubio do të kontaktonte homologët e tij në Indi dhe Pakistan dhe do t’i nxiste ata “të mos e përshkallëzonin situatën”.