
Indiana fiton në shtëpi ndaj Oklahomas, kalon në epërsi në finalen e madhe të NBA
Indiana Pacers mposhti Oklahoma City Thunder me rezultat 116:107 dhe mori epërsinë 2-1 në serinë finale të “play-off”-it të NBA-së. Skuadra nga Oklahoma e nisi më mirë ndeshjen dhe e mbylli çerekun e parë me një epërsi prej tetë pikësh (32:24).
Indiana reagoi shpejt dhe pjesa tjetër e sfidës u zhvillua me rivalitet të madh, duke ofruar emocione deri në fund. Pacers morën avantazhin vendimtar rreth katër minuta para fundit, kur kaluan në epërsi 107:100 dhe e menaxhuan me qetësi deri në fitore. Bennedict Mathurin shkëlqeu për Indianan me 27 pikë, ndërsa Tyrese Haliburton kontribuoi me 22 pikë, nëntë kërcime dhe 11 asistime.
Pascal Siakam e mbylli ndeshjen e tretë finale me 21 pikë të tjera. Te Oklahoma, më të mirët ishin Jalen Williams me 26 pikë, Shai Gilgeous-Alexander me 24 dhe Chet Holmgren me 20 pikë. Ndeshja e katërt e serisë do të zhvillohet në orët e vona të së premtes, në kalimin për në të shtunë ku sërish do të luhet në Indiana.