“Infiltrim brenda grupit”, Prokuroria jep detaje për aksionin ku u sekuestruan 2 kg heroinë, armë, vetura e para
Prokuroria Themelore e Prizrenit ka dhënë detaje lidhur me aksionin antidrogë të zhvilluar dje në Suharekë, në aplikim të masave të veçanta hetimore dhe në infiltrim brenda grupit.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se gjatë këtij aksioni janë sekuestruar 2 kilogramë heroinë, janë arrestuar tre persona si dhe është gjetur e sekustruar armatim, shkruan Reporteri.net.
Sipas Prokurorisë, droga e gjetur dyshohet se kishte qenë e destinuar për treg illegal.
“Po ashtu, gjatë zbatimit të urdhërkontrolleve në lokacione të ndryshme, janë gjetur dhe sekuestruar një numër i konsiderueshëm armësh dhe municioni, përfshirë katër (4) pistoleta, një (1) pushkë gjuetie, dy (2) karikator të pistoletave dhe, rreth pesëqind e dyzet e katër (544) fishekë të kalibrave të ndryshëm, të cilat mbaheshin në kundërshtim me ligjin përkatës për armët”, thuhet në njoftim.
Janë sekuestruar edhe para të gatshme ,telefona dhe dy vetura të markave “Mercedes GLE” dhe “Land Rover”, të cilat dyshohet se janë përdorur për takime dhe shkëmbim të substancave narkotike, si dhe prova të tjera materiale.
Lidhur me këto veprime, Prokuroria ka iniciuar procedurë penale ndaj tre të pandehurve R.B., A.R., dhe B.B., për veprat penale që ndërlidhen me narkotikë si dhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
“Të njëjtit, gjenden në ndalim 48 orësh, dhe për të njëjtit Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, përfundon njoftimi.



