Inflacioni agresiv në Kosovë, norma vjetore në janar arrin në 5.8 për qind
Të dhënat e Agjencisë të Statistikave të Kosovës, të publikuara këto ditë për çmimet e konsumit për muajin janar 2026 dhe norma vjetore e inflacionit që ka arritur në 5.8 për qind, tregojnë se niveli kaq i lartë i inflacionit është përtej të gjitha parashikimeve, edhe atyre optimiste edhe pesimiste.
Norma vjetore e inflacionit, enorme e lartë, e arritur në fund të janarit është përtej çdo parashikimi, edhe institucional edhe të njohësve të zhvillimeve të ecurive të çmimeve në vend. Sepse, të dhënat e Agjencisë të Statistikave të Kosovës (ASK), të publikuara këto ditë për çmimet e konsumit për muajin janar 2026, në bazë të të cilave nënkuptohet se norma vjetore e inflacionit ka arritur në 5. 8 %, tregojnë se niveli kaq i lartë i inflacionit është përtej të gjitha parashikimeve.
Siç dihet, për vitin 2026, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka parashikuar që inflacioni të jetë 3.4 për qind ndërsa norma e arritur në fund të janarit 2026, në bazë të të dhënave të ASK-së po del të jetë përafërsisht dyfish më shumë. Dhe, ç’është më keq, në bazë të zhvillimeve në sektorin e çmimeve në Kosovë në muajin e parë të këtij viti, rritjes jashtë çdo logjike ekonomike dhe financiare të çmimeve, sidomos të produkteve të shportës dhe tendencave të pafshehura të tregtarëve për të vazhduar trendin e ngritjes së egër dhe brutale të çmimeve, as ekspertët nuk e kanë idenë se ku do të ndalet niveli i inflacionit në muajt në vazhdim dhe fare në fund të vitit, raporton “Buletini Ekonomik”.
Ndërkohë, çmimet e konsumit në fund të janarit, në bazë të të dhënave të ASK-së dalin të jenë goxha më të larta se çmimet e konsumit në Kosovë më 2025, kur ishte shënuar rritje e çmimeve për 3.9 krahasuar me vitin 2024. Ndërsa, sipas statistikave, çmimet në dhjetorin e vitit që shkoi ishin për 5.3 % më të larta sesa në dhjetorin e 2024-s. Sipas raportit të ASK-së, kjo kryesisht është shpjeguar “me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te pemët (19.0 për qind), energjia elektrike (18.3 për qind), shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (18.1 për qind), mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit (14.7 për qind), mishi (14.4 për qind), pushime të organizuara (13.5 për qind), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (13.1 për qind), kafja, çaji dhe kakao (11.9 për qind), qumështi, djathi dhe vezët (9.8 për qind)…”.
Por, çmimet në Kosovë vazhdojnë të rriten goxha hovshëm edhe në muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla vjetore e inflacionit në muajin janar 2026 ka arritur në 5.8 për qind, krahasuar me janarin e vitit 2025, ndërsa inflacioni mujor (krahasuar me dhjetorin 2025) ishte 1.2 për qind. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) shënoi rritje në janar për shkak të ngritjes së ndjeshme të çmimeve në disa grupe të konsumit sipas klasifikimit të COICOP-it.
Në periudhën janar 2026 / janar 2025, rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar te biletat e fluturimeve (+50.4 për qind), te furnizimi me ujë dhe te shërbimet komunale (+44.4 për qind), te lëndët djegëse – dru zjarri, pelet etj. (+17.2 për qind), energjia elektrike (+16.7 për qind), pemët (+15.5 për qind), mirëmbajtja e automjeteve (+15.1 për qind), (shërbimet e transportit personal (+14.5 për qind), pushimet e organizuara ( +13.5 për qind), mishi (+13.1 për qind), kafe, çaj dhe kakao ( +10.3 për qind). Ndërsa, rritje më të moderuar kanë shënuar edhe Qumështi, djathi dhe vezët (+8.7 për qind), shërbimet hoteliere (+8.6 për qind), pijet alkoolike (+6.5 për qind), mishi i peshkut (+6.1 për qind), bukë dhe drithërat (+4.9 për qind) etj. Veshjet dhe këpucët (+2.7 për qind) Në total, ndikimi i këtyre ngritjeve në IHÇK vlerësohet në +6.2 për qind.
Nga ana tjetër, rënia më e theksuar e çmimeve është regjistruar te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, me -7.3 për qind që ka ndikuar negativisht në IHÇK me rreth -0.4 për qind. Energjia elektrike, kafeja, pemët dhe mishi janë ndër produktet që pësuan rritjen më të madhe të çmimeve gjatë vitit 2025. Ndërsa, në janar të 2026-tës ka lënë gjurmë në rënien e fuqisë financiare të qytetarëve ngritja e çmimit të ujit të pijshëm dhe të shumë produkteve ushqimore, ndër to të mishit. Sipas ASK-së, ndryshimet e çmimeve janë reflektuar pothuajse në të gjitha grupet e konsumit, por më së shumti në transport, ushqim dhe energji, kategori që kanë ndikimin më të madh në buxhetin e familjeve.
Ndërkohë, vrojtues të vëmendshëm të zhvillimeve në sektorin e çmimeve kanë thënë për “Buletinin Ekonomik”, se në buxhetin familjar, respektivisht në varfërimin e kosovarëve si rrjedhojë e rënies së fuqisë blerëse të tyre nga çmimet enorme të larta të ngritura, ndikim të madh vazhdojnë të kenë çmimi i ngritur i energjisë elektrike me rreth 17 për qind e përtej në vitin e kaluar, por edhe çmimi i ngritur brutalisht i ujit të pijshëm dhe trajtimi i ujërave që nga 1 janari 2026 për rreth 40 për qind.
ASK-ja në fund të janarit 2026, kur ka vlerësuar kategoritë e konsumit me ndikim më të madh në rritjen e çmimeve, nuk ka pasur mundësi t’i veçojë edhe disa produkte të tjera mese çmime pakuptueshëm të ngritura, për shkak se çmimet e tyre të hovshme kanë ndodhur suksesivisht gjatë tërë janarit, madje edhe shkurtit, siç ka ndodhur me çmimin e mishit, të shënuar këtyre ditëve në prag të muajit të shenjtë të myslimanëve, Ramazanit.
Edhe paralajmërimi i ringritjes së çmimit të energjisë elektrike, tarifave të reja në fund të marsit, ka ndikuar ndjeshëm te shumë prodhues dhe tregtarë në ngritjen e çmimeve dhe në paralajmërimin për çmime të reja të ngritura. Në këtë mënyrë, në Kosovë, në këto rrethana të “çmimeve në rënie të lirë” dhe praktikisht jashtë kontrollit institucional, nuk i dihet ku do të përfundojë norma e inflacionit. Tani për tani, inflacioni në Kosovë është ndjeshëm më i larti ndër shtetet e rajonit dhe ato të Evropës.



