Inflacioni në dhjetor ishte 5.3 për qind, energjia dhe ushqimet me rritjen më të madhe

12 janar 2026 | 13:02

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) ka shënuar rritje mujore prej 0.7 për qind në muajin dhjetor 2025, krahasuar me nëntorin 2025. Ndërkohë, norma vjetore e inflacionit, e matur në dhjetor 2025 krahasuar me dhjetorin 2024, ka arritur në 5.3 për qind.

Rritja mujore e çmimeve është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i energjisë elektrike (8,7 për qind), biletave të fluturimeve (8.4 për qind), lëndëve djegëse të ngurta si druri i zjarrit dhe peleti (3.0 për qind), perimeve (2,9 për qind) dhe biletave të transportit rrugor (2.2 për qind). Rritje është shënuar gjithashtu te veshja, mishi, produktet e qumështit, si dhe mallrat për mirëmbajtjen e ekonomisë shtëpiake. Në anën tjetër, rënie mujore e çmimeve është vërejtur te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, me -1.3 për qind.

Në krahasim vjetor, inflacioni prej 5.3 për qind është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të pemëve (19.0 për qind), energjisë elektrike (18.3 për qind), shërbimeve të lidhura me transportin personal, mishit (14.4 për qind), pushimeve të organizuara (13.5 për qind) dhe produkteve ushqimore bazë. Edhe në këtë periudhë, rënie e çmimeve është regjistruar vetëm te karburantet dhe lubrifikantët për transport personal (-1.7 për qind).

Ndërkaq, të dhënat vjetore tregojnë se IHÇK për vitin 2025 ishte mesatarisht 3.9 për qind më i lartë krahasuar me vitin 2024. Rritja vjetore është nxitur kryesisht nga çmimet e kafesë, çajit dhe kakaos, energjisë elektrike, mishit, pemëve dhe shërbimeve hoteliere, ndërsa rënie vjetore e çmimeve është shënuar te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, me -4.6 për qind.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e…