Inflacioni në rritje, shporta familjare gjithnjë e më e papërballueshme

14 dhjetor 2025 | 12:06

Si shumë familje, edhe ajo e Artan Dubovës që jeton në Prishtinë mezi po arrin të ia dal me çmimet e produkteve esenciale. 45 vjeçari thotë se nuk janë të rralla netët kur detyrohen të flenë pa ngrënë.

Ai thotë për emisionin ekonomik `Shtylla` të realizuar nga KosovaPress, se rritja e çmimeve po i shtyn drejt kufijve të mbijetesës.

Dubrova shton se nuk ka as mjete për ngrohje dhe se mishi është bërë luks për të, duke kërkuar rritje të ndihmave sociale nga shteti.

Hallin e rritjes së çmimeve e kanë thuajse të gjithë. Dikush më shumë e dikush më pak ankohen se me këtë situatë nuk po arrijnë të ia dalin.

Qytetari nga Prishtina shprehet se situata ekonomike aktuale është më e vështira që ka përjetuar ndonjëherë. Sipas tij, shumica e familjeve po përballen me vështirësi serioze, përjashtuar zyrtarët e lartë shtetërorë, të cilët, siç thotë ai, nuk e njohin realitetin e varfërisë.

Një pensioniste shprehet se me pensionin prej 230 eurosh në muaj nuk po arrin të përballojë shpenzimet jetësore dhe se është e detyruar të kërkojë ndihmë tek shoqet e saja për t’ia dalë.

E ky nuk është vetëm perceptim i qytetarëve. Në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit të Kosovës, vërehet dukshëm një rritje për periudhën 2024-2025. Inflacioni vjetor për periudhën janar – nëntor 2025 është 5.3 për qind. Ndërsa, për vitin 2024, 1.6 përqind, në vitin 2023 4.9 përqind. Madje, njohësi i ekonomisë, Ilir Hajdini thotë se rritja është edhe më e madhe se që raportohet nga institucionet. Sipas tij, shtrenjtimi i rrymës ka pasur ndikimin më të madh.

Sipas tij, shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe importi i madh i mallrave kanë pasur ndikimin kryesor në rritjen e inflacionit të përgjithshëm në vend, duke reflektuar drejtpërdrejt në përvojën e përditshme të qytetarëve.

Kryetari i Shoqatës së Konsumatorit, Selatin Kaçaniku thotë për KosovaPress, se rritje reale të çmimeve ka, ndërsa zbritjet nuk vërehen. Ai thekson se çdo lëvizje në treg rëndon mbi konsumatorin, i cili njëkohësisht është edhe taksapagues. Sipas Kaçanikut, shtresa që dikur konsiderohej e varfër tashmë ka falimentuar, ndërsa shtresa e mesme po mbijeton prej kohësh përmes kredive, çka sipas tij dëshmon mungesë të politikave dhe programeve serioze për mbrojtjen e konsumatorit nga ana e qeverive.

Agjencia e Statistika të Kosovës ka dërguar edhe një raport me çmimet e produkteve esenciale gjatë vitit 2024 dhe periudhës janar-tetor 2025.

Në këtë raport 1 kg oriz në vitin 2024 ka kushtuar 1.68 euro, në tetor 1.77. Mielli në 2024 ishte 0.81 Cent, ndërsa në tetor 0.84 cent, buka 500 gr në 2024 0.52 cent, në tetor 0.84, mish pule në 2024 ka qenë 4.08 euro një kilogram, në tetor 4.64 euro.

Ndërsa një litër qumësht në vitin 2024 ka qenë 1.21 euro, në tetor 1.25 euro, një litër jogurt një vië parë ka qenë 1.19 euro, në tetor 1.25 euro, po ashtu 30 copë vezë në 2024 kanë kushtuar 2.88 euro, në tetor ka arrit 3.82 euro, gjithashtu një litër vaj në 2024 ka qenë 1.47 euro, në tetor arriti 1.66 euro.

Gjithashtu sipas ASK-së, 1 kg sheqer më 2024 ka qenë 1.23 euro, në tetor të 2025 ka shënuar një rënie prej 1.19. Kurse, 1 kg kafe e bluar një vit më parë ka qenë 13.08 euro, në tetor ka arrit 15.62 euro, çaji 9.27, në tetor 9.45 euro, uji 1.5 litër 0.37 në 2024, në tetor 0.39 euro.

Ndërsa energjia elektrike (pa kosto fikse), 1 kwh në 2024 ishte 0.07 cent, ndërsa në tetor të 2025 0.08.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit në një mesatare në nëntor shënuan rritje prej 5. 3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Krahas të ardhurave mujore në Kosovë, sipas ASK-së, pensioni bazik në vendin tonë është 150 euro tani, paga minimale aktuliasht është 350 euro bruto dhe paga mesatare 639 euro për vitin 2024./KP/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet i AAK-së, Lahi Brahimaj, sot në 27-vjetorin…