
Inicohen procedurat për ndërtimin e Kuzhinës Qendrore në Podujevë
Komuna e Podujevës i ka inicuar procedurat e prokurimit për ndërtimin e objektit që do të shërbejë si Kuzhinë Qendrore.
Kuzhina Qendore që do të kushtojë rreth 700 mijë euro, do të përgatisë dhe shpërndajë ushqim të ngrohtë për të gjithë fëmijët në çerdhe dhe nxënësit e personelin arsimor të shkollave fillore në Komunën tonë.
Kryetari Bulliqi e ka vlerësuar këtë projekt si një hap të madh drejt përmirësimit të mirëqenies së fëmijëve dhe një parakusht i rëndësishëm për fillimin e organizimit të mësimit gjithëditor në shkollat e Podujevës.
“Me këtë projekt, së bashku me investimet që kemi bërë e po vazhdojmë të bëjmë në infrastrukturën arsimore, po krijojmë kushte më të mira për zhvillimin, edukimin dhe kujdesin ndaj brezave të rinj”, tha Bulliqi.