Instalimi i ujëmatësve digjitalë/përfitojnë 1800 konsumatorë në fazën e parë
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton se në zonën Bregu i Diellit ka filluar zbatimi i një projekti pilot për instalimin e ujëmatësve digjitalë (smart meters), si dhe realizimi i inspektimeve teknike në terren, me qëllim përmirësimin e menaxhimit të konsumit të ujit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatorëve. Procesi do të nisë të premten, më 19 dhjetor 2025, dhe do të zgjasë deri në përfundimin e plotë të instalimeve dhe verifikimeve të planifikuara në këtë zonë pilot.
Gjatë kësaj periudhe, ekipet teknike të KRU “Prishtina” do të jenë të pranishme në terren për instalimin e ujëmatësve digjitalë dhe kontrollin e lidhjeve ekzistuese. Me këtë rast, kompania u bën thirrje banorëve të zonës që të mundësojnë qasje për ekipet teknike, në mënyrë që procesi të realizohet pa pengesa.
Sipas KRU “Prishtina”, instalimi i ujëmatësve digjitalë synon të sigurojë:
- matje më të saktë të konsumit të ujit,
- faturim më të drejtë dhe transparent,
- identifikim të hershëm të rrjedhjeve dhe humbjeve në sistem,
- përmirësim të përgjithshëm të cilësisë së shërbimeve të furnizimit me ujë.
Ky projekt pilot përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të furnizimit me ujë dhe reduktimit të humbjeve, në përputhje me objektivat afatmesme të kompanisë për rritjen e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së shërbimit.



