Institucionet bashkojnë forcat për mbrojtjen e viktimave të krimit
Prokuroria Themelore në Prizren, nën udhëheqjen e kryeprokurorit Petrit Kryeziu dhe në bashkëpunim me Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, ka organizuar sot tryezën rajonale në kuadër të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me temën “Të bashkuar për të drejtat e viktimave”.
Tryeza mblodhi përfaqësues të institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë dhe mekanizmave të mbrojtjes, përfshirë prokurorinë, gjykatën, policinë, OSBE-në, DKA-në, mbrojtësit e viktimave, Qendrën për Punë Sociale, Shërbimin Sprovues, strehimoren dhe institucione të tjera relevante.
Diskutimet u fokusuan në forcimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e viktimave, me theks të veçantë tek rastet e dhunës në familje, të cilat vazhdojnë të jenë ndër sfidat më të mëdha për sistemin e drejtësisë në vend.
Kryeprokurori Petrit Kryeziu theksoi se mbrojtja e viktimave të krimit është prioritet thelbësor për Prokurorinë Themelore në Prizren.
“Mbrojtja e viktimave të krimit, veçanërisht e atyre që përballen me dhunë në familje, është një ndër prioritetet tona kryesore. Çdo rast duhet të trajtohet me profesionalizëm, ndjeshmëri dhe vendosmëri, duke siguruar që viktima të ndjehet e sigurt dhe e mbrojtur gjatë gjithë procesit”, tha ai.
Udhëheqësja e Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Semsije Sagdati, theksoi rëndësinë e mbështetjes ndërinstitucionale, duke theksuar se viktimat e dhunës shpesh përballen me frikë, pasiguri dhe pengesa të shumta.
Edhe kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, drejtori i Policisë Rajonale, Faton Alija, dhe përfaqësues të tjerë institucionalë nënvizuan nevojën për reagim të koordinuar, mbrojtje të menjëhershme dhe mbështetje të vazhdueshme psikologjike e juridike për viktimat e dhunës në familje.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe trajtimi i rasteve ku kryes të veprave penale janë persona me çrregullime mendore. U theksua domosdoshmëria e vlerësimeve profesionale dhe masave të specializuara për të garantuar trajtim adekuat dhe parandalim të rrezikut.
Një ndër temat qendrore të tryezës ishte edhe rëndësia e implementimit të hallkave elektronike të sigurisë, të cilat shërbejnë si mekanizëm parandalues dhe mbrojtës për viktimat e dhunës në familje. U kërkua zbatim i plotë dhe funksional i tyre në të gjitha institucionet relevante.
Në fund të takimit, pjesëmarrësit vizituan Policinë Rajonale të Prizrenit për të parë nga afër funksionimin e hallkave elektronike dhe procedurat operative që lidhen me mbrojtjen e viktimave.
Ky aktivitet synon rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, unifikimin e praktikave profesionale dhe forcimin e mbrojtjes së viktimave, me qëllim që sistemi i drejtësisë të jetë sa më efektiv dhe sa më i ndjeshëm ndaj nevojave të tyre.



