Institucionet ngrenë alarmin për zjarret: Kujdes maksimal gjatë verës

01 korrik 2026 | 14:03

Institucionet përgjegjëse për sigurinë, menaxhimin e emergjencave dhe mbrojtjen e pyjeve kanë ngritur alarmin për rrezikun e shtuar nga zjarret gjatë sezonit veror, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.

Në një konferencë të përbashkët për media, përfaqësues të Policisë së Kosovës, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Agjencisë Pyjore të Kosovës, Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës dhe Departamentit të Pylltarisë paralajmëruan se zjarrvëniet, qofshin të qëllimshme apo si pasojë e pakujdesisë, do të trajtohen me seriozitet dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bëri të ditur se Kodi Penal parasheh dënime që variojnë nga gjashtë muaj deri në 10 vjet burg për veprën penale të zjarrvënies, duke apeluar që qytetarët të tregojnë përgjegjësi gjatë muajve të verës.

Ai bëri të ditur se gjatë viteve 2025 dhe 2026, Policia e Kosovës ka realizuar 1.222 intervenime në raste zjarresh, ka iniciuar 258 raste penale dhe ka arrestuar 37 persona.

U.d. i drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Shefki Avdullahu, tha se Agjencia ka ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha strukturat e saj.

Ai tha se vetëm gjatë sezonit të kaluar në Kosovë janë regjistruar 11.466 vatra zjarri, duke kërkuar angazhim të gjerë të institucioneve qendrore dhe lokale.

Ndërkaq, hidrologu i lartë në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, Bashkim Kastrati, tha se institucioni monitoron në kohë reale kushtet meteorologjike përmes 24 stacioneve automatike, të cilat furnizojnë me të dhëna platformën kombëtare për menaxhimin e zjarreve pyjore.

Ndërsa drejtori i Departamentit të Pylltarisë, Tahir Ahmeti, tha se temperaturat e larta dhe lagështia e ulët e tokës rrisin ndjeshëm rrezikun për shpërthimin e zjarreve, duke kërkuar koordinim më të madh institucional dhe bashkëpunim me qytetarët.

Ahmeti rikujtoi se ligji ndalon ndezjen e zjarrit brenda një distance prej 500 metrash nga pyjet, përveç vendeve të posaçme të përcaktuara për këtë qëllim, ndërsa theksoi se shkelësit do të përballen me sanksionet e parashikuara me ligj. /KP/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca do të zhvillojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale më 18…