
Institucionet publike zbatuan vetëm 25 për qind të rekomandimeve të auditimeve të performancës të vitit 2019
Nga 199 rekomandime të dhëna në auditimet e performancës në vitin 2019, vetëm 51 apo 25% e tyre janë zbatuar, 6 apo 4 % janë në proces, 111 apo 55% nuk kanë filluar ende zbatimin. Ndërsa, për 31 apo 16% të rekomandimeve nuk është bërë vlerësimi për shkak të mungesës së përgjigjeve nga subjektet e audituara respektivisht kufizimit të fushëveprimit. Këto janë rezultatet e raportit të auditimit të performancës “Vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve të raporteve të auditimit të performancës të vitit 2019”, i cili ka matur zbatimin e rekomandimeve të 13 raporteve të auditimit të performancës të vitit 2019 të cilat përfshijnë 36 institucione publike.
Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se institucionet e audituara nuk kanë treguar përkushtim të mjaftueshëm në zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Prandaj për të pasur nivel më të lartë të zbatimit të rekomandimeve kërkohet përkushtim dhe bashkëpunim më i madh ndërinstitucional me qëllim të përmirësimit të performancës dhe forcimit të llogaridhënies publike.
Vlerësimi i ndikimit të rekomandimeve në institucionet ku janë marrë masat për zbatim të plotë të rekomandimeve tregon se ka pasur efekt të dukshëm, si rasti i Doganës së Kosovës dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Duke pasur parasysh se rekomandimet për këto raporte janë dhënë rreth gjashtë vite më parë, angazhimi i subjekteve të audituara nuk është i mjaftueshëm.
Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, deklaroi se niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve të auditimit të performancës reflekton një mungesë të angazhimit institucional dhe llogaridhënie të dobët. Kjo gjendje ngrit shqetësime në lidhje me efikasitetin e procesit të auditimit dhe ndikimin e tij real në menaxhimin publik.
Raportin e plotë të auditimit “Vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve të raporteve të auditimit të performancës të vitit 2019” e gjeni këtu.