Instituti Albanologjik reagon ndaj njoftimit të ministres së Arsimit

26 janar 2026 | 19:33

Instituti Albanologjik i Prishtinës ka reaguar pas publikimit të fundit të bërë nga ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, duke shprehur habinë që, sipas tyre, komunikimi nuk është zhvilluar përmes kanaleve zyrtare, por në rrjetin social Facebook

Në reagim, Instituti thekson se, në bazë të Ligjit Nr. 04/L-135 për Veprimtari Kërkimore-Shkencore, ai gëzon statusin e personit juridik, ndërsa organi më i lartë udhëheqës dhe vendimmarrës është Këshilli Drejtues. Sipas nenit 23 të Statutit të Institutit, ky këshill ka kompetencën për zgjedhjen dhe shkarkimin e drejtorit.

Tutje, IAP thekson se institutet shkencore në Kosovë funksionojnë mbi një bazë të veçantë ligjore dhe se ligjet e tjera, përfshirë Ligjin për Zyrtarët Publikë, nuk janë të zbatueshme në këtë rast. Sipas tyre, procesi i përzgjedhjes së drejtorit është proces zgjedhor dhe jo emërim administrativ.

Instituti bën të ditur se MAShTI ka qenë i informuar vazhdimisht për procesin e zgjedhjes së drejtorit, në përputhje me nenin 25 të ligjit përkatës, dhe se njoftimi zyrtar për zgjedhjen është dërguar më 5 dhjetor 2025. Sipas reagimit, kundërshtimi i ministrisë ka ardhur pas afateve ligjore të parapara me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, duke e cilësuar vendimin si të pasafatshëm.

Për nesër është thirrur mbledhja e rregullt e Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik, i cili do ta shqyrtojë situatën e krijuar dhe do të dalë me qëndrim zyrtar. Pas kësaj, Instituti ka paralajmëruar një reagim më të detajuar lidhur me secilën pikë të vendimit të MAShTI-t.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është pyetur nëse do ta…