Instituti “Musine Kokalari”: Kosova humb gati 100 mijë veta nga fuqia punëtore – Qeveria pa plan për rikuperim

23 korrik 2025 | 20:22

Instituti për politika sociale “Musine Kokalari”, ka dalë me një reagim për rënie të dukshme të fuqisë punëtore.

Sipas Institutit, Kosova humb gati 100 mijë veta nga fuqia e saj punëtore.

Gratë dhe të rinjtë më të goditurit nga ndryshimet në treg.

Në këtë deklarim të institutit përmendet fuqia e lartë joaktive në Kosovë kjo shifër është 56.8%.

Kjo e bën Kosovën dhe Bosnjen si shtetet që kanë nivelin më të lartë të fuqisë joaktive.

Ndërkaq, Shqipëria e ka fuqinë joaktive e ka 23.3%.

Tutje, për këto shifra alarmante që tregojnë numër të lartë joaktiviteti, Instituti kërkon përgjegjësi nga Qeveria në detyrë e Kosovës./Periskopi/

Komunikata e plotë:

Kosova ka pasur 11.006 të punësuar më pak gjatë 2024 se më 2023. Pra, për një vit janë humbur 11.000 vende pune. Kjo sipas Anketës së Fuqisë Punëtore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2024 të publikuar më 22 maj të këtij viti. Gjatë vitit 2023 ishin gjithsej 425.499 të punësuar, ndërsa ky numër zvogëlohet në 414.493 në vitin 2024. E zbërthyer për gjini janë 3850 gra më pak të punësuara se në vitin 2023, ndërsa 7256 burra më pak.

Kosova ka po ashtu rënie të dukshme të numrit të personave aktiv (persona të moshës së punës të cilët janë të punësuar ose të regjistruar si punëkërkues aktiv), 464.567 për vitin 2024 nga gjithsej 477.350 sa ishin në vitin 2023. Pra 12.783 më pak se më 2023. Rënia më e madhe ndodh në kategorinë e personave joaktiv. Aty, numri për vitin 2024 është për plot 84.276 më i vogël se ai më 2023. Personat joaktiv janë qytetarët e Republikës së Kosovës që janë të moshës së punës (15-64 vjeç), por që nuk janë aktiv në tregun e punës. As nuk janë të punësuar dhe as nuk janë të regjistruar si punëkërkues aktiv. Numri i këtyre personave është jashtëzakonisht i lartë. Për vitin 2024, përqindja e personave joaktiv ka qenë 56.8%. Kosova bashkë me Bosnje dhe Hercegovinën janë dy vendet e vetme në rajon ku popullsia joaktive është më e lartë se ajo aktive. Sa për krahasim, në tremujorin e parë të këtij viti (2025), Shqipëria e ka pasur popullsinë joaktive 23.3%.

Ky joaktivitet në tregun e punës kaq i lartë mund të shpjegohet pjesërisht me punësimin informal dhe ekonominë informale në përgjithësi. Përkundër kësaj (e cila sipas disa llogaritjeve të mëhershme konsiderohet të jetë diku te 30%) prapë shkalla e inaktivitetit është shumë e lartë. Ndërkohë që kemi pasur deklarime të vazhdueshme të Qeverisë se për 4 vitet e qeverisjes kanë pasur sukses në formalizimin e ekonomisë. Atëherë informaliteti do të duhej të ishte më i vogël. Por, nuk po zvogëlohet inaktiviteti.

Përqindja e popullsisë joaktive bëhet edhe më alarmante kur zbërthehet për gjini dhe moshë. Plotë 398.288 gra kanë qenë jashtë tregut të punës për vitin 2024, krahasuar me vetëm 114.410 të punësuara. Ky është një problem madhor historik në tregun e punës i cili është një prej indikatorëve shumë të rëndësishëm të pabarazisë gjinore në vendin tonë. Fatkeqësisht asnjë qeveri nuk e ka trajtuar seriozisht këtë problem. Masat e kohëve të fundit të cilat janë ndëmarrur nga Qeveria, me fokus të veçantë në rritjen e punësimit te gratë dhe trajtimin e këtij problemi prapë nuk po duket se po japin rezultatet e dëshiruara. Përveç që numri i grave të punësuara është më i vogël se në vitin e kaluar, po ashtu shihet se kur krahasohen në përqindje, rritja e punësimit të burrat gjatë vitit ka qenë 2.5% krahasuar me një rritje shumë më të vogël prej 1.4% te gratë. Edhe pse tingëllon anomali, pra që në vitin 2024 kemi më pak të punësuar në terma absolut dhe pastaj përqindje pozitive të rritjes së punësimit, kjo vjen si pasojë e raportit përmes të cilit vlerësohet shkalla e punësimit dhe e papunësisë. Ajo paraqet shkallën e të punësuarëve krahasuar me fuqinë aktive punëtore. Meqë kemi rënie të ndjeshme të fuqisë aktive, atëherë përqindja e të punësuarëve rritet edhe kur bjen numri i përgjithshëm i të punësuarëve.

Përkundër rënies së papunësisë në nivel vendi, rinia (15-24 vjeç) ka rritje të papunësisë, krahasuar me 2023. Gjithsej 19.5% e të rinjve ishin të papunë më 2024 krahasuar me 17.3% sa ishin në vitin 2023. Për më tepër ku zbërthehet kjo papunësi në burra dhe gra rezulton se 24.7% e të rinjëve të papunësuar janë gra krahasuar me 16.7% që janë burra.

Një tjetër e dhënë që kërkon vëmendje është përqindja e pjesëmarrjes së punësimit të paqëndrueshëm në punësimin e përgjithshëm. 14.5% të punësimit të përgjithshëm llogaritet të jetë punësim i paqëndrueshëm. Zbërthyer në terma absolut rezulton se diku pak mbi 60 mijë vende pune llogariten si punësim i paqëndrueshëm.

Por e dhëna më alarmante në këtë anketë mbetet rënia e madhe e numrit të personave joaktiv dhe aktiv. Numri i përgjithshëm i personave joaktiv në vitin 2024 është për 84.276 më pak sesa në vitin paraprak. Kjo e dhënë kërkon më shumë shpjegim. Bashkë me 12.783 persona aktiv më pak se në vitin 2023 behën gjithsej 97.059 persona më pak në fuqinë punëtore të Kosovës. Numër tejet i lartë për ta humbur për një vit.

Rënia e fuqisë punëtore për gati 100 mijë persona në një vit nuk mund të neglizhohet, relativizohet apo fshehet pas përqindjeve të llogaritura ndryshe.

Kjo kërkon arsyetim të qartë nga institucionet përkatëse:

Cilat janë arsyet e kësaj rënie masive?

Çfarë masa po ndërmerren konkretisht për rikthimin e qytetarëve në tregun e punës?

Ku është progresi i premtuar në formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e punësimit?

Pse gratë dhe të rinjtë vazhdojnë të mbesin jashtë tregut të punës?

Kërkojmë përgjegjësi, transparencë dhe veprim konkret, jo narrativë të stisur për sukses imagjinar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Uk Lushi, ish-ushtar i UÇK-së dhe veprimtar në SHBA, ka…