Integrimi Funksional: Një “Lazar” politik që ringjall hegjemoninë dhe izolon Kosovën

28 shkurt 2026 | 13:24

Adri Nurellari

Ballkani i Hapur ringjallet si Lazari; pasi ishte shpallur politikisht i konsumuar dhe ishte zhdukur nga konferencat rajonale dhe retorika e përditshme, po na kthehet tashmw me kostum të ri, gjermanisht në faqet e Frankfurter Allgemeine Zeitung. Në një shkrim të përbashkët kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuqiç kërkojnë një version të ri të zgjerimit të Bashkimit Europian që kërkon integrim funksional para anëtarësimit të plotë. Sipas tyre, nëse dera e BE-së është e ngadaltë dhe e ngushtë, atëherë le të hapet dritarja e tregut të përbashkët, e Schengen-it, e harmonizimit gradual institucional pa pritur anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian.
Kjo është paraqitur si një rrugë “realiste” për të kapërcyer ngecjen e zgjerimit. Ideja është e thjeshtë në thelb që, përderisa BE-ja është “e lodhur” nga zgjerimi le të ofrojë një “rrugë të shkurtër” me integrim funksional tranzitor që hap tregjet, lehtëson lëvizjen, rrit ndërvarësinë dhe integrimin ekonomik me idenë që integrimi politik të vijë në një kohë të dytë. Sipas tyre Ballkani nuk mund të presë pafundësisht një BE ku lufta në Ukrainë e Lindje të Mesme, migracioni masiv, kriza energjitike apo tensionet e brendshme ia kanë zhvendosur prioritetet.
Në pamje të parë ky propozim tingëllon si pragmatizëm i arsyeshëm, porse kur zhvishet nga retorika diplomatike dhe vendoset në kontekstin aktual të zhvillimeve të brendshme të këtyre dy vendeve si dhe në perspektivën emarrëdhënieve Kosovë–Serbi ky propozim nuk është thjesht diçka teknike por një tentativë për rikonfigurim rrënjësor në Ballkan me kosto të pallogaritshme për të ardhmen e shqiptarëve ne veçanti dhe mbarë rajonit në përgjithësi.
Pikësëpari ky propozim në vetëvete përbën një përpjekje për të ofruar integrimin e pjesshëm si alternative ndaj transformimit rrënjësor që kërkohet nga procesi i anëtarësimit. Në këtë mënyrë ata kanë anashkaluar me vetëdije faktin thelbësor që integrimi nuk ka qenë kurrë vetëm çështje tregu të përbashkët por mbi të gjitha një projekt normativ ku në plan të parë janë arritja e një demokracie funksionale me zbatim të plotë të ligjit dhe me respektim të standardeve më të larta të të drejtave të njeriut dhe të pakicave. Të dyja qeverisjet e këtyre liderëve sot klasifikohen si “demokraci hibride”, ku institucionet janë të kapura dhe hapësira demokratike po pëson regres dhe natyrshëm ky propozim tingëllon si një alibi e përsosur për të shtënë në dorë qasjen në fondet dhe tregjet e Europës, pa u dorëzuar para kontrollit të transparencës dhe llogaridhënies që kërkon anëtarësimi i plotë. Ky propozim vjen në një kohë kur të dy liderët përballen me protesta masive në sheshet e Tiranës dhe Beogradit; me afera të rënda korruptive që prekin majat e pushtetit dhe dihet që kanë ndërmarrë shkelje sistematike të ligjit dhe kanë kontroll mbi mediat dhe proceset zgjedhore (veprime që janë dokumentuar e raportuar tashmë ndërkombëtarisht).
Prandaj, duke zhvendosur fokusin te tregu, këta liderë kërkojnë të zbutin presionin e brendshëm dhe ndërkombëtar për tatëpjetën e standardeve demokratike dhe abuzimet kolosale me pushtetin. Prapwseprapw, edhe pse Europa mund të jetë e lodhur nga zgjerimi, Ballkani kurrsesi nuk duhet të jetë i lodhur nga liberal- demokracia. Mirëpo argumenti i binomit Rama Vuqiç për një integrim funksional ekonomik si prioritet mbi atë politik, harron një leksion të madh të historisë të cilin e argumenton më së miri nobelisti Daron Acemoglu duke thënë se “ndërtimi i institucioneve të forta dhe gjithëpërfshirëse është garancia e vetme e begatisë”. Pra përfitimet që iu vijnë shqiptarëve nga demokratizimi i mirëfilltë dhe sundimi i ligjit i tejkalojnë shumëfish ato që mund të sjellë çdo integrim i thjeshtë ekonomik apo futja në Schengen. Në fakt, ne tashmë gëzojmë një pjesë të mirë të këtyre përfitimeve ekonomike përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe liberalizimit të vizave.
Problemi në vendet tona nuk qëndron te mungesa e hapësirës ekonomike, por tek mungesa e institucioneve që garantojnë drejtësinë dhe llogaridhënien. Pa këto institucione, çdo lloj tregu i përbashkët rrezikon të mbetet një mekanizëm që pasuron elitat e një demokracie hibride, duke lënë qytetarët në një amulli të përhershme ekonomike dhe politike. Pa këto institucione, tregu i përbashkët rrezikon të kthehet në një hapësirë ku vetëm elitat e lidhura me pushtetin “vjelin” përfitimet, ndërsa qytetari i thjeshtë mbetet i varfër dhe i pambrojtur nga korrupsioni dhe arbitrariteti.
Mirëpo, përtej llogarive ekonomike dhe tentativave për ta përdorur këtë propozim si gomone shpetimi mbijetese politike, kjo iniciativë përbën një thikë pas shpine për Kosovën në rrafshin më jetik të interesit shtetëror dhe dinjitetit kombëtar. Rreziku më i madh në propozimin “realist” për një integrim funksional është se hiqet i vetmi presion real për njohjen e Kosovës duke e kthyer kapitulli 35 nga një kusht esencial në letër higjienike Për Serbinë, Kapitulli 35 i negociatave me BE-në nuk është thjesht një detyrë shtëpie; është “thembra e Akilit” dhe i vetmi litar që e mban Beogradin të lidhur pas detyrimit për të njohur realitetin e Kosovës. Ky kapitull është dizajnuar si një mekanizëm bllokues. Mirëpo. nëse Beogradi arrin të “shqyejë” përfitimet e tregut unik, lëvizjen e lirë dhe miliardat e fondeve europiane përmes këtij “integrimi funksional”, pa u detyruar të bëjë asnjë koncesion për shtetësinë e Kosovës, atëherë Kapitulli 35 asgjësohet de facto.
Në këtë skenar, njohja e Kosovës pushon së qeni një kusht “sine qua non” (i domosdoshëm) dhe kthehet në një dëshirë fakultative të cilën Beogradi mund ta shtyjë në pafundësi. Ky është një akt i pastër tradhtie diplomatike nga ana e Tiranës: ndërsa flitet për “realizëm”, në fakt po i hiqet Kosovës e vetmja armë që detyronte Serbinë të ulej në tryezë. Duke i dhënë Serbisë gjithçka që kërkon (ekonominë) pa i kërkuar asgjë nga ato që i dhimben (njohje dhe demokratizim), Tirana po e shndërron integrimin europian në një instrument që financon hegjemoninë serbe në rajon, duke e lënë Kosovën si një “mbetje gjeopolitike” në pritje të mëshirës së një agresori reciditiv të papenduar e të pakorrigjueshëm.
Këtu duhet theksuar që, edhe pa këtë propozim absurd, vetë flirtimi i zjarrtë 13 vjeçar i Tiranës zyrtare me Beogradin (ndërkohë që mbahen mure akulli me Prishtinën) I ka dhënë dhe vazhdon ti japë Serbisë de facto një “certifikatë pafajësie” përballë botës. Mesazhi që ky afrim kaq I ngushtë me Beogradin përcjell në kancelaritë ndërkombëtare është që Serbia mund të pretendojë tashmë se nuk ka asnjë problem me shqiptarët (meqenëse me Shqipërinë po “ndërton” Ballkanin e hapur), dhe se i vetmi pengesë mbetet “kokëfortësia” e qeverisjes në Prishtinë. Kjo strategji e izolimit diplomatik të Kosovës, e ushqyer paradoksalisht nga Tirana, tenton ta kornizojë konfliktin jo si një çështje të pazgjidhur mes dy popujve, por si një tekë politike të një kryeministri apo një qeverie të caktuar në Prishtinë.
Në këtë pikë, hipokrizia politike arrin kulmin. Nuk mundet që nga njëra anë të kesh këtë lidhje organike interesash me Beogradin, dhe njëherazi të shprehësh solidaritet për krerët e UÇK-së në Hagë. Është një kontradiktë ulëritëse të vajtosh për një proces të dyshimtë e tendencioz gjyqësor që është gatuar, ushqyer dhe mirëmbajtur nga vetë strukturat e Beogradit, ndërkohë që u shtron tapetin e kuq autorëve të asaj strategjie. Ky “realizëm” i ri bëhet edhe më cinik kur sheh se, ndërkohë që flitet për tregje të përbashkëta dhe “Schengen” rajonal, siguria e Kosovës minohet drejtpërdrejt nga i njëjti Vuqiç Këtu nuk mund të injorohen sulmet në Banjskë dhe kanalin nevralgjik të Ibër-Lepencit, të cilat tashmë janë vërtetuar se janë orkestruar nga strukturat e Serbisë. Si mund të ketë “integrim funksional” rajonal me një shtet që, nga njëra anë, premton lehtësim të lëvizjes së mallrave dhe, nga ana tjetër, organizon operacione paramilitare dhe sabotime të infrastrukturës kritike të fqinjit të tij. Kjo kontradiktë nuk është thjesht një pengesë teknike por dëshmi se projekti i Beogradit nuk synon paqen, por nënshtrimin e Kosovës përmes një izolimi të dyfishtë, qoftë diplomatik me bashkëpunim nga Tiranae e qoftë fizik përmes veprimeve destruktive në terren. Ky dualizëm i Tiranës nuk është aspëk një diplomaci por një braktisje e parimeve që minon pozicionin e Kosovës në çdo tryezë negociatash, duke e lënë atë të vetme përballë një Serbie që reformohet në letër, por mbetet po ajo në projektin e saj shovinist për rajonin.
Si përfundim ky propozim për një integrim funksional nuk është një zgjidhje kreative për ngadalësinë e Brukselit, por një pakt pragmatist që sakrifikon transformimin real demokratizues të vendeve tona për hir të mbijetesës së elitave hibride. Duke e shitur këtë model si “rrugën e vetme realiste”, dyshja Rama-Vuçiç po kërkon të legalizojë një status-quo ku tregu zëvendëson shtetin e së drejtës dhe ku lëvizja e lirë e mallrave fsheh paralizën e njohjes reciproke. Për Kosovën dhe interesat tona kombëtare, ky nuk është thjesht një eksperiment ekonomik, por një goditje asgjësuese ndaj Kapitullit 35; një mjet që e liron Serbinë nga detyrimi për njohje, duke e shpërblyer atë me akses në tregun europian ndërkohë që ajo vazhdon të orkestrojë destabilizimin.
Ky projekt rrezikon ta gozhdojë Ballkanin në një mesatare të përhershme gri, një periferi të shfrytëzueshme ku detyrimet ndaj BE-së janë reale, por fuqia vendimmarrëse mbetet zero. Këtu lidhemi edhe me problemin tjetër të defiç itit demokratik sepse vendet do të detyrohen të zbatojnë rregulla europiane pa pasur të drejtë të plotë vendimmarrjeje, duke marrë detyrime pa përfaqësim proporcional. Prandaj, duke braktisur procesin normativ të anëtarësimit për pazare ad hoc politike, Tirana zyrtare jo vetëm që po minon dinjitetin shtetëror të Kosovës, por po e lë mbarë rajonin të ekspozuar ndaj ndikimeve gjeopolitike të Lindjes. Ballkani nuk ka nevojë për një dritare tregu që riciklon autokracinë, por për derën e hapur të demokracisë liberale. Çdo rrugë e shkurtër që anashkalon drejtësinë, demokracinë, dhe njohjen reciproke, nuk të çon drejt Perëndimit por Lindjes dhe thjesht zgjat agoninë e një rajoni që po humb kohën, shanset, talentet dhe të ardhmen në emër të një stabiliteti të rremë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës do ta mbledh sot Kryesinë e…