
Integrimi, Rama: Ne po ecim më mirë se Evropa
Kryeministri Edi Rama, ka thënë se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor po ecin shpejt drejt integrimit evropian, duke shfrytëzuar edhe momentin historik që vjen në kontinent, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
“Jemi në një periudhë kohe kur Evropa po sillet shumë mirë me ne. Në këtë pikë në kohë, ne po ecim më mirë se Evropa! Kisha besim edhe në kohën kur ishte qesharake të besoje në anëtarësim. 90 për qind e shqiptarëve besojnë te anëtarësimi. Për ne është besim i patundur, bindje shumë e fortë”.
“Qysh prej agresionit kundër Ukrainës, falë Vladimir Putinit, Europa u zgjua me zhurmë dhe jo vetëm po thotë sa mirë është të marrë Ballkanin Perëndimor, por edhe po përshpejton punën për ta bërë një gjë të tillë. Ne aty ishim edhe më parë, por u refuzuam, pikërisht sepse fjalët dhe veprat ishin larg njëra-tjetrës. Tashmë Europa është pro kësaj dhe shpresojmë të arrijmë këtë objektiv, të realizojmë një ëndërr dhe më pas do të nisë një jetë e re”, ka thënë Rama në fjalën e tij në panelin e Chatham House, me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian”, përcjell “A2CNN”.