Integritetin politik nuk e mundëson ligji por e mundëson kultura politike
Shkruan: Besa Ismaili – Ahmeti
Deputeti hyn në Kuvend me votat e partisë. Me strukturën, me emrin, me besimin kolektiv partiak. Por sapo merr mandatin, mandati është vetëm i deputetit dhe jo i partisë. Partia nuk mund t’ia marrë më.
Ka një lloj ironie demokratike këtu sepse deputetin e ngre partia por e mbron ligji edhe kur deputeti e ulë partinë që e ngriti.
Në Shqipëri, Edi Rama i shkarkon ministrat për të treguar se përgjegjësia ka kosto. Mund të pëlqehet ose jo metoda, por mesazhi është i qartë: se pushteti nuk është i paprekshëm.
Në Kosovë, përballë deputetëve me vota të kontestuara, ligji është kthyer në alibi, partitë pa përjashtim vendosën të bëhen “toshë” dhe të shesin heshtjen si parim.
Por këtu ngritet një dyshim i madh publik: kur vjedhet aq shumë në zgjedhje nacionale dhe ka pandëshkueshmëri, kush garanton për integritetin e zgjedhjeve të brendshme partiake?
Demokracia në Kosovë, si në nivelin nacional ashtu edhe partiak, pa përjashtim, po konsumohet e po gryhet me justifikime. Justifikime të lodhta!



