Inteligjenca amerikane: Putin dëshiron të pushtojë gjithë Ukrainën dhe po synon vendet balltike

21 dhjetor 2025 | 18:20

Raportet e inteligjencës amerikane vazhdojnë të paralajmërojnë se presidenti rus Vladimir Putin synon të pushtojë të gjithë Ukrainën dhe të rimarrë pjesë të Evropës që i përkisnin ish-perandorisë sovjetike.

Raportet paraqesin “një pamje krejtësisht të ndryshme” nga ajo e paraqitur nga Donald Trump dhe negociatorët e tij, të cilët pretendojnë se presidenti rus synon t’i japë fund konfliktit.

Ato gjithashtu kundërshtojnë mohimet e udhëheqësit rus në lidhje me akuzat se ai përbën një kërcënim për Europën.

Gjetjet e inteligjencës amerikane “janë kryesisht në përputhje me pikëpamjet e udhëheqësve evropianë dhe agjencive të inteligjencës”, sipas të cilave Putini lakmon të gjithë Ukrainën dhe territoret e ish-shteteve të bllokut sovjetik, përfshirë anëtarët e NATO-s, sipas burimeve.

“Inteligjenca ka treguar vazhdimisht se Putini dëshiron më shumë”, theksoi Mike Quigley, një anëtar demokrat i rangut të lartë i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, në një intervistë me Reuters.

“Evropianët janë të bindur për këtë. Polakët janë absolutisht të bindur për këtë. Vendet baltike mendojnë se janë të parët”, shtoi ai.

Rusia kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luganskut dhe Donetskut, pjesë të rajoneve të Zaporizhias dhe Khersonit, dhe të gjithë Krimenë.

Putin pretendon se Krimea dhe të katër provincat i përkasin Rusisë. Trump po i bën presion Kievit që të tërheqë forcat e tij nga pjesa e vogël e Donetskut që është ende nën kontrollin e tij, si pjesë e një marrëveshjeje të propozuar paqeje.

Të premten, Putin, megjithëse deklaroi se ishte gati të diskutonte paqen, tha se kushtet e tij do të duhej të respektoheshin, duke pretenduar se forcat e tij kanë përparuar 6,000 kilometra katrorë këtë vit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për Kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës Lumir Abdixhiku…