Inteligjenca europiane: Rusia furnizon Iranin me dronë për sulme ndaj SHBA-ve dhe Izraelit

27 mars 2026 | 20:47

Agjencitë e inteligjencës në Evropë besojnë se Rusia ndodhet në fazat përfundimtare të përgatitjeve për t’i furnizuar Iranit dronë, të cilët pritet të përdoren në konfliktin e tij me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Kështu bëri të ditur një zyrtar i lartë evropian.

Sipas tij, Rusia tashmë ka ndarë informacione inteligjente me Teheranin për ta ndihmuar në shënjestrimin e forcave amerikane në rajon. Megjithatë, dërgimi i dronëve të pajisur me eksploziv do të përbënte provën e parë të mbështetjes vdekjeprurëse që nga fillimi i luftës.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, nuk dha detaje mbi shkallën e dërgesave të mundshme, por konfirmoi një raportim të gazetës “Financial Times”, sipas të cilit “raportet e inteligjencës perëndimore” tregojnë se Rusia është pranë përfundimit të një dërgese me faza të dronëve, si dhe të barnave dhe ushqimeve drejt Iranit.

Sipas medias, zyrtarë iranianë dhe rusë kanë nisur diskutime të fshehta për furnizimin me dronë vetëm disa ditë pasi SHBA-të dhe Izraeli sulmuan Teheranin në fund të muajit shkurt. Po ashtu, thuhet se këto dërgesa mund të përfundojnë deri në mesin e javës së ardhshme.

Në reagim ndaj pretendimeve për dërgimin e dronëve në Iran, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u shpreh se “ka shumë lajme të rreme që qarkullojnë aktualisht”, duke shtuar se “ajo që është e vërtetë është se ne vazhdojmë dialogun me udhëheqjen iraniane”.

Rusia dhe Irani nënshkruan vitin e kaluar një marrëveshje partneriteti strategjik, ndërsa Moska ka dërguar më shumë se 13 tonë barna në Iran përmes Azerbajxhanit.

Përfshirja në rritje e Rusisë mund të zgjerojë dhe përshkallëzojë konfliktin e hapur të nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli, i cili është kritikuar, përfshirë edhe nga disa aleatë të Uashingtonit, si i paligjshëm, me objektiva të paqartë dhe me pasoja kaotike gjeopolitike dhe ekonomike. Një zhvillim i tillë mund të shkaktojë gjithashtu reagime negative nga vendet e tjera të rajonit.

Si përgjigje ndaj sulmeve, Teherani ka lëshuar mijëra dronë sulmues relativisht të lirë në gjithë rajonin e Gjirit, duke goditur objektiva në disa vende, përfshirë Kuvajtin, Katarin, Bahreinin, Arabinë Saudite, Omanin, Irakun dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Irani pretendon se synon interesat amerikane në rajon.

Ndërkohë, Rusia ka prodhuar dronë të ngjashëm sulmues njëpërdorimësh, të bazuar në modelet iraniane “Shahed”, për përdorim në Ukrainë.

Ministrat e jashtëm evropianë e ngritën këtë çështje gjatë një takimi të G7-ës në Francë, të premten, me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar se Rusia po ndihmon Iranin në identifikimin e objektivave kundër forcave amerikane.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, akuzoi Rusinë se po ndihmon Iranin në përcaktimin e objektivave të mundshëm të goditjes, duke shtuar se presidenti Vladimir Putin synon ta përdorë konfliktin me Iranin si shpërqendrim nga lufta në Ukrainë.

“Putini shpreson në mënyrë cinike që përshkallëzimi në Lindjen e Mesme të largojë vëmendjen nga krimet e tij në Ukrainë”, tha ai për gazetarët. “Kjo llogaritje nuk duhet të ketë sukses. Ne e shohim shumë qartë se sa të ndërthurura janë këto dy konflikte. Rusia po e mbështet qartazi Iranin me informacione për objektiva të mundshëm.”

Nga ana e saj, ministrja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, u shpreh “thellësisht e shqetësuar për lidhjet mes Rusisë dhe Iranit, të cilat kanë ekzistuar prej kohësh në aspektin e kapaciteteve të përbashkëta”, përfshirë dronët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ADMOVERE dhe INTEGRA organizator të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”,…