Inteligjenca ukrainase: Sulmi terrorist në Moskë, provokim i qëllimshëm i Putinit

22 mars 2024 | 20:58

Inteligjenca ushtarake e Ukrainës ka reaguar pas sulmit terrorist me të paktën 40 viktima dhe 100 të plagosur në një sallë koncertesh në Moskë.

Drejtoria kryesore e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës ka thënë se sulmi terrorist në rajonin e Moskës është “një provokim i qëllimshëm i regjimit të Putinit”, për të cilin ka paralajmëruar komuniteti ndërkombëtar.

“Zjarri nuk u shua për të paktën një orë, sepse reaguesit e parë prisnin që të vinin ekipet e forcave speciale. Kjo është anormale për qytetin e Moskës dhe rajonin. Kjo ndodh vetëm kur planifikohet një sulm terrorist nga ata që u japin urdhra forcave speciale”, citojnë mediat ukrainase burime nga inteligjenca.

Katër persona të armatosur hynë në një holl koncertesh në Moskë duke qëlluar mbi qindra të pranishëm. Sipas raportimeve të deritanishme, autorët shpërthyen edhe bomba duke bërë që godina shumëkatëshe të përfshihet nga flakët.

Është e paqartë nëse autorët kanë mbetur të vrarë, janë kapur apo kanë arritur të arratisen siç raportohet në kanalet jozyrtare.

Kujtojmë se rreth dy javë më parë, ambasada amerikane në Rusi paralajmëroi “për një sulm të paevitueshëm terrorist”, por Kremlini zyrtar i nënvlerësoi njoftimet, duke i quajtur madje si “shantazh i Perëndimit”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jo presidentja Osmani, por Komisioni Qendror Zgjedhor ka caktuar 21…