
Interesimi nga Bayerni dhe Reali, flet Wirtz
Ylli i Bayer Leverkusen, Florian Wirtz pritet të jetë një nga emrat kryesorë në tregun e transferimeve këtë verë, me Real Madridin dhe Bayern Munichun që thuhet se janë dy klubet më të interesuara për mesfushorin ofensivë gjerman. Wirtz ka qenë në radarin e Real Madridit për një kohë të gjatë.
Interesi është rritur me trajnerin Xabi Alonson që pritet të zëvendësojë së shpejti Carlo Ancelottin dhe me spanjollin që njeh mirë cilësitë e lojtarit të tij.
Bayerni është gjithashtu i etur dhe thuhet se kryeson garën për transferimin e lojtarit gjatë afatit kalimtar të verës. Megjithatë, Wirtz nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar dhe këtë e ka zbuluar vetë së fundmi në një prononcim.
“Jam me fat që kam kaq shumë klube të shkëlqyera pranë meje dhe tani jam në gjendje të luaj për një nga klubet më të mira në Gjermani dhe Evropë”, ka thënë fillimisht Wirtz për “Sports Illustrated”.
“Është padyshim joshëse për mua që në një moment të largohem nga zona ime e rehatisë dhe të përjetoj diçka të re. I njoh mjaftueshëm mirë dhomat e zhveshjes së futbollit dhe jam i bindur se do ta gjej shpejt vendin tim kudo”, përfundoi ylli gjerman.