Interi fitoi derbin ndaj Milanit
Skuadra e Interit merr një fitore spektakolare në derbin ndaj Milanit, duke u konfirmuar si favorite për titullin kampion në Itali.
Skuadra e Contes triumfoi 3-0 në “San Siro”, një ndeshje të cilën e dominoi për pjesën më të madhe dhe ishte më e saktë në konkretizimin e rasteve. Në minutën e 5-të, Lukaku shërben një top fantastik në zonë për Lautaro Martinez, i cili e kishte të thjetë të realizonte për 0-1.
Milani futet me një ritëm më të mirë në fillimin e pjesës së dytë, por pa mundur që të konkretizonte rastet. Në krahun tjetër, Interi realizon edhe të dytin në minutën e 57-të, duke përfituar nga një kundërsulm që u shfrytëzua në mënyrën më të mirë nga Lautaro Martinez.
Në minutën e 66-të, Lukaku merr një top thuajse nga mesfusha dhe më pas arrin të bëjë shumë metra përpara derisa do të lëshonte një gjuajtje të fortë, e cila përfundoi në rrjetën e kuqezinjve. Interi në këtë mënyrë merr një fitore shumë të rëndësishme, duke ruajtur vendin e parë me 53 pikë, plotë 4 më shumë se Milani.



