
Intervenimi i ambasadorit Ajeti: Aviokompania gjermane njeh kufijtë kushtetues të Kosovës
Falë reagimit të ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, aviokompania “Condor Airlines”, nga tani i njeh dhe i shkruan saktë në platformat e saj, kufijtë kushtetues të Republikës së Kosovës.
Sipas Ajetit, ato më herët ishin paraqitur gabimisht, por që ky gabim tashmë është korrigjuar duke mos e lidhur më vendin tonë me Serbinë.
“Falë reagimit dhe angazhimit tonë të vazhdueshëm diplomatik, Republika e Kosovës tani paraqitet saktë dhe nuk do të lidhet më në asnjë mënyrë me Serbinë, siç mund të shihet edhe nga dëshmitë përkatëse”, ka shkruar Ajeti në “Facebook”.
Diplomati Ajeti ka porositur qytetarët se nëse hasin në ndonjë lëshim të ngjashëm, që t’i njoftojnë institucionet.
“Nëse keni hasur në ndonjë institucion apo kompani gjermane, në të cilin Republika e Kosovës nuk paraqitet në mënyrë të drejtë dhe korrekte, ju lutemi të na shkruani në [email protected], duke bashkëngjitur dëshmitë relevante, në mënyrë që të mund të korrigjohen gabimet e tilla”, ka shkruar Ajeti.