LDK-së i duhet një lidership i ri

01 dhjetor 20:14

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Rexhepi, i ka ftuar strukturat udhëheqëse të partisë që të reflektojnë ndaj rezultatit të zgjedhjeve në Podujevë dhe kërkesave të kohës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se ka ardhur koha për ndryshimin e lidershipit të LDK-së. Rexhepi i ka bërë thirrje liderit të partisë që ta thërrasë Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së i cili në janar do ta zgjidhte liderin e ri të kësaj partie.

Ai ka vlerësuar se kjo thirrje e tij duhet të kuptohet si kërkesë e kohës. Sipas Rexhepit, vetëm me një lidership të ri LDK-ja do të bashkohej dhe do të ishte e gatshme për zgjedhjet e reja.

Rexhepi në këtë intervistë ka folur edhe për zgjedhjen e presidentit të ri dhe për mundësinë e zgjedhjeve të reja.

“Epoka e re”: Z. Rexhepi, pas disa dekadave LDK-ja ka humbur zgjedhjet në Podujevë. Si e keni parë këtë rezultat?
Rexhepi: Natyrisht se këtë rezultat nuk e kemi pritur mirë, sepse çdokush i gëzohet fitores së partisë së tij dhe askush nuk i gëzohet humbjes. Kjo është një postulat edhe në politikë edhe në jetën private. Sido që të jetë, ishte një mandat që iu ka besuar Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit të tyre.

“Epoka e re”: Çfarë ka ndikuar në këtë rezultat?
Rexhepi: Mund të jenë shumë faktorë. Mund të jetë një reagim i qytetarëve të Llapit për shkak të qeverisjes së gjatë të LDK-së, jo se Agimi nuk ka punuar mirë, sepse unë besoj se Agimi ka punua mirë. Mirëpo koha e gjatë në pushtet e bën të vetën. Në anën tjetër, mund të jetë një lloj reagimi i tyre për lëshimin e mandatit të kryetarit pa e pyetur elektoratin. Pra, mund të jenë disa faktorë, sepse Agimi ka punuar kohë të gjatë dhe vazhdimisht ka gëzuar besimin e tyre. Sido që të jetë, ky rezultat për Degën e LDK-së në Podujevë dhe për LDK-në në përgjithësi është një mesazh për lidershipin e LDK-së se duhet të ulet dhe të diskutojë në forumet e partisë për ditë më të mira. Pra, të bëhet një vlerësim dhe gjykim i drejtë i situatës dhe të merren veprime politike që i duhen partisë. Ky është një mesazh që sjell përgjegjësi të madhe para lidershipit të LDK-së.

“Epoka e re”: Çfarë veprime duhet të ndërmarrë tani lidershipi i LDK-së?
Rexhepi: Ky mund të jetë vetëm një mesazh i parë. Mos të pritet thellimi i krizës, pra që të kemi një vlerësim sa më të drejtë. I takon udhëheqjes së partisë që të mendojë për strategjinë dhe të veprojë në përputhje me rrethanat dhe kërkesat e reja. Të shihet se çka po kërkohet sot dhe cili lidership po kërkohet në LDK. A duhet të përmbyllet lidershipi aktual apo duhet të reformohet lidershipi i LDK-së. Pra të gjitha këto duhet të analizohen dhe të gjendet mënyra më e mirë. Besoj se LDK-ja dhe lidershipi i saj, i cili, për fat të keq është shëndetlig, duhet ta kuptojë se gradualisht duhet ta lirojë detyrën.

“Epoka e re”: Çfarë duhet të bëjë tani lidershipi i LDK-së?
Rexhepi: Ndoshta është e rrugës që më 23 dhjetor të paralajmërohet një kuvend i ri i LDK-së, pra janar, ku do ta kishim zgjedhur një lidership të ri të LDK-së, cili duhet ta bartë një përgjegjësi të madhe, pavarësisht se a do të kemi zgjedhje apo jo. Duhet t’ia bëjmë një falënderim të madh lidershipit aktual në Kuvendin e LDK-së dhe në janar të kemi një lidership të ri të LDK-së. Thirrja ime është se LDK-ja duhet t’iu përgjigjet kërkesave të kohës dhe jo që kemi diçka për lidershipin aktual.

“Epoka e re”: Pra, mendoni se ndërrimi i lidershipit dhe reformimi i kësaj partie e këndell LDK-në?
Rexhepi: Ne kemi krizë të thellë politike. Nuk them se këtë krizë e ka krijuar lidershipi aktual. Dinamika e ngjarjeve kërkon ndryshime, sepse në kemi një lidership të hendikepuar në aspektin shëndetësor. Përkundër krejt angazhimeve të mëdha që ka bërë deri më tani, mendoj se Kuvendi i LDK-së më 23 dhjetor duhet të jetë një thirrje për krejt LDK-në që në muajin janar Kuvendi i LDK-së ta zgjedhë një lidership të ri. Ka ardhur koha për këtë ndryshim. Besoj se kjo është në të mirën e LDK-së dhe kjo nuk duhet të keqkuptohet, por të kuptohet drejt. Edhe nga zgjedhjet në Podujevë dhe nga vetë kërkesat e kohës që po dalin, duhet t’i marrim si mesazhe që t’i japim një shans të re, ta kemi një lidership të ri i cili do të mirëpritet nga rinia e LDK-së dhe nga të gjithë ata që e duan LDK-në. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të bashkoheshim, sepse jemi bërë disa copa brenda në Kosovë dhe në diasporë. Duhet ta bëjmë një bashkim, ta zgjedhim një lidership të ri dhe të ecim përpara.

“Epoka e re”: Kush do të mund ta udhëhiqte LDK-në?
Rexhepi: Duhet të thirret Kuvendi i LDK-së. Kryesia dhe lidershipi aktual duhet ta vlerësojnë këtë moment. Duhet ta falënderojmë lidershipin aktual për gjithë kontributin që ka dhënë deri më tani. Them se është rendi ta zgjedhim një lideshp të ri. Unë para dhjetë vjetëve kam qenë një kuadër që kam kërkuar që Isa Mustafa të jetë kryetar i LDK-së, sepse koha ka kërkuar atëherë që të jetë në krye të LDK-së. Edhe sot, për të njëjtat principe, për arsyet që i përmenda, mendoj se profa duhet ta thërrasë kuvendin e partisë dhe më 23 dhjetor ta paralajmërojë hapjen e garës për një lidership të ri. Mendoj se LDK-ja i ka 4-5 kuadro që mund ta udhëheqin LDK-në. Të bëhet një garë demokratike dhe rreth fituesit të bashkohemi të gjithë e të vazhdojmë përpara. Kjo do ta kthente besimin e LDK-së të te rinjtë dhe te të gjithë simpatizuesit e LDK-së që e presin ndryshimin në parti.

“Epoka e re”: Kjo garë do të duhej të ishte e hapur edhe për Vjosa Osmanin?
Rexhepi: Mendoj se ne nuk kemi njerëz për të humbur. Ajo ka kontribute të jashtëzakonshme në LDK. Vjosa Osmani është vlerë e madhe për LDK-në sikurse janë edhe të tjerat që janë larguar. Nëse e duam forcimin e LDK-së atëherë duhet bashkimi nga i cili duhet të vijnë në shprehje kuadrot e reja dhe kuadrot me përvojë. Duhet të kemi një kuvend të ri i cili do të sjellë lidership të ri dhe energji të re. Në këtë mënyrë do të tregonim një mesazh të fuqishëm se LDK-ja ka potencial për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës. Tek atëherë do të mund të shkonim në zgjedhje. Nuk duhet t’i presim zgjedhjet nacionale pa i bërë këto ndryshime.

“Epoka e re”: Tani Kosova nuk ka president. Si duhet të veprojnë partitë politike për zgjedhjen e presidentit të ri?
Rexhepi: Mendoj se të gjitha partitë politike parlamentare duhet të ulen dhe të arrijnë një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit. Duhet ta ndajmë çështjen e presidentit prej qeverisë. Çështja e presidentit nuk duhet të përzihet me çështje të tjera, sepse kjo do të na riciklojë sërish krizën për presidentin. Ftoj liderët e të gjitha partive që të ulen dhe ta bëjnë një kompromis për pozitën e presidentin. Të gjithë e kanë për borxh që ta gjejnë një presidenti konsensual.

“Epoka e re”: Po për zgjedhje të reja, a duhet të merren vesh partitë?
Rexhepi: Partitë politike duhet të ulen dhe të merren vesh edhe për zgjedhje. Të merren vesh nëse ato duhet të mbahen në pranverë, pas gjashtë muajve apo pas një viti. Me rëndësi është që çështjen e presidentit duhet ta heqim nga rendi i ditës bashkërisht. Edhe pas zgjedhjeve të reja duhet të ulemi dhe ta bëjmë të njëjtën procedurë. Tani Kuvendin e kemi legjitim dhe partitë politike duhet të gjejnë zgjidhje për presidentin.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shaqir Totaj, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, në emisionin…