
Intervistë me Hajdin Abazin: Insinuatat e Vllasit për vitin 1981 dhe e vërteta
Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me 4 vite burgim, shpalos këndvështrimin e tij për ngjarjet e vitit 1981 dhe thotë se A. Vllasi nuk e tregon të vërtetën, se ai i riaktualizon insinuatat e regjimit komunist edhe pas katër dekadash. Si ishte e vërteta e vitit 1981? Si ndodhën ato? A ishin skenar ruso-serb sikurse lë të nënkuptohet A. Vllasi? Çka i parapriu marsit e prillit 1981? Cilat ishin rrethanat e asokohshme? Pse pushtetarët komunistë nuk e mbrojtën kërkesën për Republikë? Pse kaluan në defensivë që në start sikurse e pohon A. Vllasi? A i mungonte vetëm emri Republikë Kosovës? Si u bë që pushtetarët komunistë që nga fillimi ranë në kurthin serbomadh – kurse populli e lëvizja e rezistencës kombëtare jo? Këto dhe shumë të tjera do të shpalosen në këtë intervistë.
“Epoka e re”: Kemi arsye përse këtë intervistë duam ta bëjmë pikërisht me ju, Hajdin Abazi, që do të lexohet në disa vazhdime. Së pari, a e ke përcjell intervistën e Azem Vllasit në “Pikë” dhe si të është dukur ajo?
Hajdin Abazi: Ju falënderoj që në fillim, dhe më vjen mirë që po bashkëbisedojmë. Po, të tria vazhdimet i kam përcjellë, sepse besoja se ishte rast i shkëlqyer për të që t’i shihte zhvillimet për të cilat fliste, nga viti 1981 e deri te UÇK-ja, nën reflektorët e rrjedhës së historisë e cila ka dekada që ka hedhur dritë të qartë. Le të kujtojmë se vetë Vllasi “shkoi” në burg, në të vërtetë e arrestuan dhe i inskenuan një gjyq dhe e dënuan pastër politikisht. Pastaj ishte edhe pjesë e zyrës së UÇK-së në Kosovë të cilën e udhëhiqte Heroi i Lirisë Adem Demaçi, i cili edhe e kishte ngarkuar të kontaktonte me diplomatë e politikanë të huaj. Prandaj kisha pritje se do të ishte një Azem tjetër e jo si ai i viteve kur ishte kryetar i komunistëve të Kosovës.
Duke qenë se ai ishte njeri me përgjegjësi të larta politike në Kosovë e në nivel federativ, e kam përcjellë me vëmendje, se kam pritur një reflektim më realist për ato zhvillime tash pas më shumë se katër dekadash. Kam pritur edhe pak dinjitet lidhur me gabimet e bëra dhe se përse nuk është bërë më shumë. Mbi të gjitha, i habitshëm paksa ishte qëndrimi ndaj lëvizjes atdhetare përgjithësisht (që flet me nënçmim duke thënë “shkuan në burg” sikur të thoshte se shkuan në plazh!) dhe sidomos ndaj kryengritjes popullore te vitit 1981, ndaj së cilës bëheshin insinuata, akuza dhe fajësime me dioptrinë e pushtetarit të atëhershëm, thuaja pa asnjë ndryshim.
Kam pas bindje se Vllasi do të ishte më mirë i artikulueshëm, por u zhgënjeva me nivelin e ulët konceptual dhe më mënyrën e trajtimit të ngjarjeve historike sikur të bëhej fjalë për ndonjë komedi. E kuptova se çfarë niveli të ulët kadrovik e udhëheqës ka pasur regjimi komunist në Kosovë, dhe kjo shpjegon pse të tillët vepruan me “defensivë”.
Qysh atëherë e edhe pas çlirimit, Kosova dhe populli shqiptar u treguan të hapur dhe pajtimtarë për hir të lirisë dhe të ndërtimit të një jete tolerante, të mos cenimit të fjalës së lirë, edhe kur ajo mund të jetë e gabuar ose jo korrekte. Dhe pikërisht kjo e bën realitetin tonë kombëtar me vlera bazike të demokracisë dhe të diversitetit në mendime.
E vërtetë e pamohueshme se çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb, shpallja e pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008 dhe konsolidimi gradual i pavarësisë së Republikës së Kosovës kanë sjellë lirinë kombëtare për shqiptarët përfshirë edhe minoritetet që jetojnë këtu, rendin demokratik në zhvillim e sipër dhe lirinë e shprehjes si vlera themelore të shoqërive moderne të civilizimit perëndimor të cilat gradualisht por po sendërtohen.
Këtë ndryshim të madh, këtë histori të re kombëtare, vetëm si popull, si tërësi, kemi mund ta arrijmë, pra vetëm me atdhedashuri, me frymën e unitetit kombëtar dhe me vetëdijen se jo hakmarrja po pajtimi është rruga e vetme e drejtë.
Për t’iu përgjigjur pyetjes, dua të them se në kohën kur janë në proces zhvillimet, ato mund të perceptohen nga këndvështrime, interesa e pozicione të ndryshme, por pasi të kalojnë ato, pasi të stabilizohen ndryshimet, atëherë secili duhet të reflektojë në mënyrë më korrekte e në përputhje me realitetin – pikërisht kjo mungonte te Vllasi. Nuk ke çka pret më shumë prej një njeriu, i cili, me t’i thënë kush se demonstratat (e vitit 1968) janë të ndaluara, largohet “për mos me e hangër naj pendrek” – dhe merre me mend sikur edhe të tjerët të kishin bërë si Vllasi, rezistenca kombëtare do të kishte kapitulluar. Dhe ai artikuloi shumë të pavërteta, gjysmë të vërtetë ose shtrembërime që qysh asokohe ishin të padrejta kurse tash janë qesharake, sepse të kujtojnë Don Kishotin e Servantesit që ende besonte se ishte në kohën e kaluar.
“Epoka e re”: Kur Vllasi e gjenerata e tij ishin avancuara në pushtetin komunist, ti kishe ndjekur rrugën tjetër – atë të lëvizjes atdhetare. Si i sheh sot raportet e dikurshme?
Hajdin Abazi: Sapo e thashë se kur pjesëmarrësit në një proces zhvillimor janë në pozicione të ndryshme, sigurisht që qëndrimet i kanë divergjente, të acaruara dhe shihen me dioptri thuaja antagoniste. Unë asokohe i kam perceptuar si kolaboracionist të regjimit pushtues, si njerëz që duan pushtet dhe përfitime në kurriz të popullit, dhe se ata janë masha serbe që na persekutonin neve, ata që vepronin ndryshe e flisnin ndryshe. Sigurisht, sot i shoh me tolerancë, ndonëse shumëçka kishin bërë jo ashtu sikurse kanë mundur ta bëjnë më së miri, sepse i kishin mundësitë reale por nuk kishin guxim politik.
Unë, si pjesëmarrës i lëvizjes atdhetare ndjehem me fat që kam qenë i orientuar në të gjitha etapat drejt kombëtarisht në proceset zhvillimore qysh nga viti 1968 dhe për kontributin modest që kam arritur të japë ndaj atdheut, kombit e lirisë.
Po ashtu ndjehem mirë që çlirimi i Kosovës nuk u pasua nga hakmarrja dhe konfliktet brendashqiptare ndaj pushtetarëve vendorë të regjimit komunist.
Sigurisht që liria ju përket të gjithëve, sepse vetëm ashtu ajo është liri jo selektive po e njëmendtë. Kjo edhe në aspektin për të shprehur qasjet e tyre ndaj historisë shqiptare të Kosovës përgjithësisht e posaçërisht të pas Luftës së Dytë Botërore. Po e theksoj këtë, pasi që disa figura politike të kësaj kohe (si Fadil Hoxha, Kaqusha Jashari tashmë kanë ikur nga kjo jetë) po paraqiten me këndvështrimet e tyre lidhur me zhvillimet pikërisht të kësaj periudhe, me theks revoltën e madhe të vitit 1981 sikurse bëri A. Vllasi në intervistën në “Pikë”.
Këndvështrimi i tij është nga brenda, nga institucionet e Kosovës që ishin në kuadër të ish-Jugosllavisë. Tha gjëra interesante, por edhe kamuflime, shqyrtime sipërfaqësore e shpesh edhe tendencioze, sidomos në raport me lëvizjen atdhetare. Realisht nuk është ndonjë befasi, sepse pak donte të justifikonte veten e vet, pak të paraqitet si vizionar e që në fakt del të ketë qenë mjaft i lodhtë dhe i cunguar ky dhe të gjithë udhëheqësit komunistë lidhur me çështjen kombëtare e konkretisht në raport me kryengritjen e vitit 1981, pak të përpiqen t’i lajnë duart nga gabimet (që nuk i pranojnë) dhe sidomos lidhur me qëndrimet kundër lëvizjes atdhetare – përndjekjet, arrestimet, dënimet e anatemimet ideologjike e politike që bëheshin nga shqiptarët ndaj shqiptarëve. Mbi të gjitha, piktura e tij e ngushtë ndaj çështjes së Kosovës nxjerr lakuriq të vërtetën se të tillët kurrë nuk kishin një këndvështrim kombëtar.
Kjo është njëra anë e medaljes së historisë, ajo e errët e me dinjitet të munguar. Por është dhe ana tjetër e medaljes së historisë, ajo e ndritshmja dhe e dinjitetshmja: rezistenca kombëtare e lëvizjes shqiptare. Nuk mund as të shpjegohet e as të kuptohet drejt historia e Kosovës pa i evidentuar gabimet që realisht janë bërë ndaj atdhetarëve, sa vuajtje, tortura, padrejtësi sociale e politike janë bërë, me vulën e atij pushteti që ishte në Kosovë, ku bënte pjesë edhe A. Vllasi. Ky tha se “më janë dhimtë ata të ri”, si të ishte ndonjë fatkeqësi natyrore e jo se pushteti që edhe ai ishte pjesë e për disa vite edhe e drejtonte i miratonte ato politika kundër tyre, madje edhe jepnin urdhrat.
Ajo që ishte befasuese në qëndrimet e A. Vllasit ishte tendenca për ta ritushuar historinë, thua se nuk kishte alternativë tjetër veprimi. E vërtetë, rrethana ishin të komplikuara dhe me të panjohura, por kanë munguar përpjekjet dinjitoze të tyre kundër revanit serbomadh që u shpreh së pari në Kosovë e ndaj shqiptarëve. Thjesht, nuk mund të jenë njëlloj si persekutuesit edhe të persekutuarit.
“Epoka e re”: A mund të tregosh paksa për veten tënde, që lexuesi ta ketë të qartë të kaluarën tënde, si antipod i A. Vllasit?
Hajdin Abazi: Edhe unë kam lindur në një familje fshatare, e cila ishte thuaja tipike si shumë familje të tjera. Kjo tipike ka të bëjë me atë se të pakta janë familjet shqiptare të cilat, në një mënyrë a në një tjetër, të mos jenë persekutuar e edhe terrorizuar nga regjimi në Kosovë në ish-Jugosllavi.
Familjarët e mi, si nga ana e babës ashtu edhe nga ajo e nënës, kanë qenë të përfshirë në lëvizjen e rezistencës kombëtare. Babai im kishte qenë i përfshirë në organizim në vitet 1950-1960, përmes Beqir Ramadan Sejdiut, të cilin e kishte lidhje familjare. (Ai ishte daja i Ismet Ramadanit të Gjilanit, i cili bashkë me mua do ta fillonte organizimin në rezistencën kombëtare). Ai ishte mësues nga fshati Uglar i Gjilanit. Por ishte i ardhur nga Leskovci si pasojë e spastrimit etnik nga serbomëdhenjtë, ndaj dhe e njihte lakuriq dhunën shtetërore të pushtuesve. Kur ai ishte zbuluar e arrestuar, Beqiri kishte bërë qëndresë të jashtëzakonshme dhe kishte vendosur të martirizohej. Nga torturat çnjerëzore, do të shkatërrohej me shëndetin fizik por edhe do të mbetej me pasoja psikike për tërë jetën, dhe kurrë nuk do ta merrte veten (deri sa po dora serbomadhe do t’ia merrte edhe jetën). Qëndroi stoik, dhe nuk dekonspiroi asnjëri. Falë tij, babai im kishte shpëtuar nga arrestimi, torturat dhe dënimi. Disa herë më ka marrë dhe mua si fëmijë kur shkonte për ta vizituar atë, para arrestimit, dhe unë habitesha për respektin e jashtëzakonshëm që babai im tregonte për të. Dhe kur e pyeta një herë se përse kaq shumë kishte konsideratë, e mos se ishte mësues, më tha: “Jo veç ajo, po se është njeri i madh! Nuk i gjendet shoqi kund për nga burrnia!”. Babi im kishte vendosur ta vazhdonte rezistencën, por në një drejtim tjetër: duke më krijuar kushte e rrethana që unë të arsimohesha e të bëhesha vazhdues i rezistencës së tij kombëtare, duke më arsimuar e brumosur me frymën atdhetare, identitetin shqiptar, kulturën dhe traditën tonë autoktone, ani se direkt ai kurrë nuk do të më nxiste, por, me edukatën familjare që kisha marrë, unë do të vihesha natyrshëm në rrugën e lirisë.
Një rrethanë tjetër, disi e veçantë, lidhet me gjyshen time, nënën e babait tim, Zylfijen e cila ishte e lindur në fshatin Bresalcë. Me vite të tëra kam pas menduar se ajo ka lajthitur mendsh, sepse çdo vjeshtë, në një ditë të caktuar, ajo do të më merrte për dore, shkonim Kishës Katolike në rrugën e Gjilanit (tash Rexhep Bislimi), ku te porta e hyrjes ishin dy gurë anash. Gjyshja Zylë nxirrte nga gjiri i saj dy plisa, njërin e vendoste mbi majën e njërit guri e plisin tjetër e vendoste mbi gurin tjetër. E përkëdhelte njërin e pastaj tjetrin, i rregullonte plisat duke i vënë si thyeshëm (“kështu e mbaje ti plisin mbi sy”, “e ti, e mbaje majë koke se thoshe ballin dua me e mbajt hapun!”). Pastaj shkrehej në vaj e lotët i shkonin gurrë. Gjatë tërë kohës, murgeshat na shihnin nga oborri me fytyra të ngrysura që shprehnin pikëllim e dhembje, por kurrë asgjë nuk flisnin; me përjashtim kur ndodhte të ishte vapë, vinin dhe na e ofronin nga një tas me ujë. Njerëzit që ecnin atypari shihnin me çudi, dhe vazhdonin tutje. Në vitin 1971, kur isha dymbëdhjetë vjeç, e kushtëzova gjyshen: unë do të vij, vetëm nëse më tregon se përse ke kaq dhimbje për ata gurë! Ajo më shikoi me një shikim sikur të më thoshte “s’di a mundesh me i përballua rrëfimit tim”, e më tha: “Bash që do, po, të kallxon lokja, fill e për pe!”. Mënyrën si më foli, më bëri të kuptoj se diçka të madhe do të mësoja atë ditë, dhe u ndjeva disi i gëzuar se më në fund, pas kaq vitesh, do ta zbuloja misterin e gjyshes. Pasi i vuri plisat mbi dy gurët, gjyshja më tregoi se dy vëllezërit e saj kishin rënë duke luftuar për ta çliruar Ferizajn nga serbët. Ata kishin rënë, njëri pas tjetrit, te këta dy gurë, pas të cilëve ishin strehuar në luftim e sipër, por që aty i kishin goditur breshëritë e plumbave. Dhe, as njërit e as tjetrit, varret nuk ju diheshin (se regjimi ripushtues sllavokomunist kurrë nuk ua kishin treguar familjarëve). “E për t’i kujtuar ata, për t’i vajtuar e për t’u çmall me ta, vij këtu” – më tha gjyshja Zylë; “meqë varre nuk kanë, vij këtu dhe e nxjerri dhimbjen që kurrë nuk më shuhet!” (Më vonë do të mësoja se bëhej fjalë për fundin e Luftës së Dytë Botërore, për shkak të terrorit ndër shqiptarët që kishin nisur forcat sllavopartizane ishin grumbulluar vullnetarë shqiptarë pa ngjyrime ideologjike për të ndalur dhunën ushtarake të serbëve, ashtu sikurse do të bënte edhe Shaban Poluzha.)
Shumë kohë më pas, babai im do t’i përgjigjej një pyetjes sime, se përse kur kishte vendosur të braktiste fshatin e lindjes Gadishin nuk ishte vendosur në Gjilan po në Ferizaj (në vitin 1960). Do të ishte logjike të zgjidhej Gjilani, meqë fshati i takon kësaj komune dhe aty kishte edhe shumë bashkëfshatarë të tjerë që ishin vendosur më herët; e krahas kësaj edhe në Livoç ishin zhvendosur një lagje e gadishalinjve, për të qenë më afër qytetit. Kurse Ferizaj, ishte më larg nga fshati dhe nuk pak kishim farefis aty. Kur gjyshja i kishte thënë se më kishte treguar për gurët e portës së Kishës Katolike, babi më tha: “Besoj, tash e ki m’su pse kemi ardhë në Ferizaj!”. Në fakt, jo. Nuk e kisha kuptuar. Dhe babai do të më tregonte: ishte nëna Zylfije ajo që kishte këmbëngul për Ferizajn; “Shehër njani e shehër tjetri, bile m’u kanë ngat vllazënve të mi!”. Dhe “vllaznit e mi” i quante dy gurët të cilët ata i kishin përdorë si mburojë në luftën e tyre për çlirimin e Ferizajt nga pushtimi sllavokomunist dhe i kishte si shenjë të tyre. Jo vrasja e vëllezërve – sepse thoshte “trimat janë për me i dal zot vatanit”, por zhdukja e tyre “pa varr e pa nishan” ishte ajo që e mërziste dhe e bënte të vuante shumë.
Dhe, pak a shumë, të njëjtin fat do ta pësonte edhe gjyshja e edhe babai im: as atyre nuk u dihen varret. Gjyshja kishte ndërruar jetë një vit para babait tim dhe e kemi varrosur duke lënë dy gurë në varr, që më pas t’ia rregullonim varrin. Por nuk arrita ta përmbushja këtë, sepse regjimi erdhi të më arrestonte për herë të dytë dhe unë, me ndihmën e bashkëveprimtarëve, do të arratisesha jashtë vendit. Nga torturat e sigurimit të shtetit në Kosovë dhe kanceri i mushkërive, në vjeshtë të vitit 1986 do të ndërronte jetë edhe babai im. Ai e kishte lënë amanet që të mos më tregonin para se ta varrosnin, që të mos u jepte kënaqësi regjimit të më arrestonin, torturonin e dënonin politikisht sërish me burgim. Dhe hakmarrja e regjimit në Kosovë ishte krejt antinjerëzore: ishin kujdesur që të mos mbetej asnjë gjurmë e varrit të gjyshes sime dhe të babait tim. Dhe sot, as njërit e as tjetrit, nuk ua kam gjetur dot varret, ani se jam përpjekur shumë.
“Epoka e re”: E përmende vitin 1968. A mos ke marrë pjesë edhe ti e pastaj ke ikë “mos me e hangër naj pendrek” si Vllasi?
Hajdin Abazi: Po, kam marrë pjesë në demonstratat e viti 1968, edhe pse isha vetëm dhjetë vjeç; dhe po kam ikur – ama nga shkolla për të marrë pjesë në demonstratë!
Pa fije dyshimi, mbresat që do të më lënë gjurmë më të thella e më të pashlyera dhe që do të më bëjnë ta shoh realitetin kombëtar të shqiptarëve ndryshe, janë demonstratat e vitit 1968 dhe kërkesa për Republikë; ngjarje historike këto që do të ndikojnë fuqishëm në përcaktimin e rrugës sime jetësore të lidhur me lëvizjen e rezistencës. Prandaj, këtu do të ndalem pak më konkretisht.
Isha nxënës shkolle, në klasën e tretë fillore, kur shpërthyen demonstratat në qytetin tim, në Ferizaj. Jo rastësisht por qëllimshëm kam ikur nga shkolla ku drejtoria na i pati kyçur dyert që të mos dilnim jashtë. Doja të isha atje, ta shihja me sytë e mi tek ndodhte ajo që ishte përfolur aq shumë, edhe në ndejat e familjes: Republikën (se, si fëmijë, besoja se aty, në shesh ku ishin mbledhur mijëra vetë, do të vinte ajo).
E kjo ishte rrjedhojë e asaj që kisha dëgjuar të flitej në shtëpinë e babait tim.
Te ne në qytet vinin rrallë të afërm tanë nga fshatrat, qoftë nga ana e babës e qoftë nga ana e nënës. Diçka ndryshoi befas dhe gjatë shtatorit, tetorit e nëntorit 1968 u shpeshtuan ardhje-vajtjet e disa të afërmve që babai im i respektonte shumë. Sidomos njëri nga ta, Xhaferi nga Ballanca e Vitisë, të cilin babai im e quante si me shaka “kaçak” (më vonë do ta mësoja se ai kishte qenë pjesëtar i forcave vullnetare që kishin luftuar kundër riokupimit serbokomunist në vitin 1945), ishte i veçantë. Ata flisnin për një “kulm shtëpie”, për “ndarje dhensh e dhish” me “ata”, për bërje “shtëpi më vete”. Nga kureshtja e pyeta babain se përse ishte fjala, dhe ai me tha me një ngazëllim se edhe ne po e fitonim Republikën! Madje, ai kishte thënë, një ditë, se edhe te ne në qytet do të mblidheshin njerëzit e aty do të thirrej Republikë e do të bëhet hallakmë!
Dhe kur i kisha dëgjuar nga shkolla fillore (e cila nuk ishte as 100 metra larg sheshit të qytetit) zhurmën që vinte që andej, e dija se ç’po ndodhte dhe e shfrytëzova rastin e ika nga klasa, nga dritarja e tualetit dola jashtë, oborri ishte thuaja shkret dhe vetëm ndonjë nxënës rrallë shihej të dilte jashtë e të vraponte nxitimthi drejt qendrës. Nga sheshi i qytetit dëgjoheshin zëra e thirrje e zhurmë. Vrapova atje dhe u përfshiva në masën e madhe të njerëzve, duke menduar se veç kishte ardhur Republika pasi që të pranishmit brohorisnin “Republikë, Republikë”. Derisa po shihja për ta parë Republikën pashë milicinë e armatosur si ushtri që po rrinte në gjendje gatishmërie. Jo vetëm se nuk lodheshin njerëzit duke brohoritur, por vetëm sa i shtonin ato. Pastaj janë dëgjuar altoparlantët e milicisë, që thanë të largoheshim. Në vend të largimit, njerëzit i shtuan thirrjet për Republikë. Milicia u vërsul ndaj masës të grumbulluar (më pas, prej lajmeve do ta mësoja se ata ishin demonstrues) dhe me sytë e mi i kam parë kacafytjet, përleshjet, grushtimet e i kam dëgjuar britmat e rënkimet. I kam parë kur njerëzit i hoqën kockat e gurëve dhe nisën t’i gjuanin policët. Mbase kjo duhej të ishte ajo hallakamë që pati thënë babai im se do të bëhej!
Kur u ktheva në shtëpi dhe nëna Qibrije, ndjesë pastë, më pa se si isha bërë pis, ngrohi ujë dhe më tha të lahem. Pas nja tri orësh erdhi edhe babai; dhe ai ishte i përlyer si edhe unë. E dëgjova kur i tha nënës: “Luftë, luftë ka shku; ama s’ua kemi lanë as na – ua kemi kthyer atyre xhelatëve a me gurë, a me copa drush a me çka gjajshim!”.
Më kujtohet se me muaj babai i përcillte lajmet në TV dhe në fund turfullonte hundët e thoshte “Ncuk, ncuk!”. Ai priste lajmin e madh të Republikës, lajm që nuk erdhi kurrë. Në vend të saj, një autonomi, por e lidhur me vargonjtë republikan të Serbisë. Kur kjo u bë e njohur, ai “kaçaku” i tha babit tim: “Nuk u kry puna! Ky asht mashtrim, se kur të dojë Serbia na e merr e na shkelë!” dhe në shenjë pajtimi, babai im ofshani thellë.
Megjithatë, deri te ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, ai sikur besonte se mbase në momentet e fundit mund të bëhej kthesa dhe Kosova të bëhej Republikë, e kur kjo nuk ndodhi, ai u dëshpërua shumë, më përqafoi e më tha: “M’fal!”. Unë nuk e kuptova ku e kishte fjalën asokohe, e pak vite më pas e kam kuptuar se e kishte për faktin se nuk e kishin bërë Republikën dhe se na mbetej neve brezit të ri ta vazhdonim përpjekjen. (Vijon)