Intervistë me Haqif Drenica, kandidat i PDK-së për deputet: Nga tradita në vendimmarrje!

10 dhjetor 2025 | 13:56

“Dua të sigurohem që ligjet dhe politikat të jenë të qarta, të zbatueshme dhe të bazuara në nevojat reale të komunitetit, duke promovuar transparencë, përgjegjësi dhe dialog të vazhdueshëm me qytetarët”, ka thënë në një intervistë për “Epokën e re” Haqif Drenica, kandidat i PDK-së për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Epoka e re”: Kush është Haqif Drenica?
Haqif Drenica: Haqif Drenica, është nga Komuna e Lipjanit, ka mbi tri dekada përvojë në arsim, administratë publike dhe angazhim shoqëror, kulturor, human dhe politik. Pas këtyre angazhimeve të shumta, kam vendosur të përfshihem në procesin zgjedhor parlamentar të datës 28 dhjetor, në kuadër të listës zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës, me numrin 74.
Karrierën e kam nisur para luftës si mësimdhënës në SHFMU “Ibrahim Banushi” në Shalë (1986–1994), ndërsa nga viti 1994 deri në vitin 2000 kam punuar në shkollat e Risinocit, Baincës dhe Krojmirit. Në vitet 2004–2005 ligjërues në Auto Shkollën “Toni” në Lipjan.
Dy herë isha në pozita drejtuese në Komunën e Lipjanit: Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (2010–2012) dhe Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër (2012–2014). Prej vitit 2016 ushtroj detyrën e Inspektorit të Arsimit në MAShTI.
Gjatë gjithë karrierës sime jam përpjekur të japë një kontribut të vazhdueshëm në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe hartimin e politikave edukative në nivel lokal dhe qendror. Përveç rolit profesional, kam një histori të gjatë angazhimi shoqëror, duke udhëhequr shoqata kulturore, komisione komunale, iniciativa humanitare dhe procese pajtuese brenda komunitetit.
Jam pjesëmarrës në lëvizjet studentore të viteve 1981–1989, në grevat e minatorëve, si dhe pjesëtar i UÇK-së, ku gëzoj statusin e veteranit dhe respekt të gjerë në rrethanat atdhetare. Angazhimi im politik brenda PDK-së daton nga viti 2000, duke mbajtur pozita udhëheqëse në nivel nën-dege, dege dhe në strukturat e rinisë, kulturës dhe organizatave të dala nga lufta.
Në të gjitha përgjegjësitë që kam mbajtur, jam dalluar për integritet, përkushtim ndaj komunitetit të Shalës dhe Lipjanit, si dhe për aftësinë për të përfaqësuar interesat qytetare me profesionalizëm. Mbetem i përkushtuar ndaj parimeve të transparencës, përgjegjësisë dhe profesionalizmit gjatë angazhimit tim politik.

“Epoka e re”: Pse vendose që ti hysh garës për deputet të Republikës së Kosovës?
Haqif Drenica: Vendosa të angazhohem në jetën publike sepse besoj se institucionet tona kanë nevojë për më shumë përgjegjësi, transparencë dhe vizion. Jam i përkushtuar të kontribuoj në adresimin e sfidave që prekin qytetarët çdo ditë dhe të punoj me integritet për forcimin e besimit në proceset demokratike. Siç e kam theksuar edhe më parë, angazhimi im shoqëror dhe atdhetar ka filluar herët, që nga vitet 1981, në periudhën e lëvizjeve studentore dhe proceseve politike të kohës, ku mora përgjegjësi dhe u angazhova me përkushtim ndaj çdo përpjekjeje për çlirimin e vendit. Më pas, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ky angazhim mori dimensionin më të lartë të përgjegjësisë ndaj atdheut dhe komunitetit. Kontributi im ka vazhduar edhe pas luftës, në institucionet publike, në administratë dhe në sektorin e arsimit, ku jam përpjekur vazhdimisht të ndihmoj në ndërtimin e proceseve profesionale, të qëndrueshme dhe në shërbim të qytetarëve. Përmes përvojës sime shumëvjeçare, jam fokusuar në forcimin e cilësisë së arsimit, përmirësimin e funksionimit institucional dhe zhvillimin e politikave të përgjegjshme që mbështesin nevojat e komunitetit.
Në gjithë këtë rrugëtim, jam udhëhequr nga parime të qarta: integritet, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj interesit publik—parime të cilave do t’u qëndroj besnik në çdo angazhim timin profesional dhe shoqëror.

“Epoka e re”: Cili do të ishte prioriteti juaj kryesor në Kuvend?
Haqif Drenica: Prioriteti im kryesor në Kuvend do të jetë përmirësimi i funksionimit të institucioneve dhe forcimi i proceseve që ndikojnë direkt në jetën e përditshme të qytetarëve. Dua të sigurohem që ligjet dhe politikat të jenë të qarta, të zbatueshme dhe të bazuara në nevojat reale të komunitetit, duke promovuar transparencë, përgjegjësi dhe dialog të vazhdueshëm me qytetarët. Qëllimi është që çdo vendim të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe besimin e qytetarëve në institucionet e vendit.

“Epoka e re”: Si do të jeni të qasshëm për qytetarët pas zgjedhjeve?
Haqif Drenica: Qasshmëria ndaj qytetarëve është parimi themelor i çdo përfaqësuesi publik. Për mua, përgjegjësia nuk përfundon me përfundimin e fushatës, por fillon me detyrimin për të dëgjuar dhe raportuar në mënyrë të rregullt. Unë synoj të jem i qasshëm përmes komunikimit të hapur, takimeve periodike me komunitetin dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet lokale, në mënyrë që çdo shqetësim apo propozim i qytetarëve të dëgjohet dhe të trajtohet. Qëllimi im është që qytetarët të ndihen pjesë e proceseve, të informuar dhe të respektuar në çdo hap.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në 50-vjetorin e Akademisë së…