Intervistë me Shahin Dervishaj: Arsyet e hyrjes në politikën e Kosovës dhe kandidimi për deputet

21 dhjetor 2025 | 19:17

Një jetë mes mërgimit, suksesit në biznes dhe aktivizmit politik, një biznesmen i njohur nga diaspora, Shahin Dervishaj ka vendosur të kandidojë për deputet në Kuvendin e Kosovës, duke sjellë me vete një histori të pasur dhe një vizion të qartë për të ardhmen e vendit dhe diasporës.

I detyruar të emigrojë nga Kosova në vitin 1987 për shkak të situatës së rënduar politike dhe ekonomike, ai ndërtoi një jetë të suksesshme në Gjermani. Sot, ai drejton disa biznese, ku veçon ai në fushën e infrastrukturës rrugore dhe në atë të patundshmërive. Pavarësisht suksesit, ai thekson se asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen, duke u munduar vazhdimisht të kontribuojë për të.

Arsyeja kryesore që e ka shtyrë të hyjë në garën politike është, siç e përshkruan Dervishaj për KosovaPress, situata e krijuar në pesë vitet e fundit në Kosovë dhe veçanërisht “kidnapimi i krerëve të UÇK-së” dhe dërgimi i tyre në Hagë. Megjithatë, shqetësimi i tij më i madh mbetet përçarja e thellë e diasporës, të cilën ai e sheh si pasojë të një propagande politike të qeverisë aktuale.

“Unë para disa viteve jam zgjedhur kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Baden-Ëürttemberg, është dega më e madhe e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjermani. Por dhe situata e krijuar politike, janë disa faktorë të tjerë, arrestimi ose kisha mundur me quajt kidnapimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-presidentit Thaçi, kryetarit Kadri Veseli, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, që u dërguan në Hagë, ka ndikuar në një mënyrë, që unë me u kyç në politikë dhe situata e krijuar politike këto pesë vitet e fundit. Unë e pashë të arsyeshme që dikush, një zë nga diaspora duhet të jetë në Kosovë, sepse diaspora në këto pesë vitet e fundit u përça tej mase. Dhe unë mendova që me kyçjen time në politikë do të arrij pak a shumë që të relaksoj situatën në mes të mërgatës, se ne nuk kemi nevojë për përçarje, po kemi nevojë për bashkim, pa marrë parasysh partitë politike”, ka thënë Dervishaj për Kosovapress.

Përtej politikës, ai është i njohur edhe për veprimtarinë e tij humanitare. Ka mbështetur për vite me radhë organizatën “Handikos” dhe ka investuar në komunitetin e tij lokal në Runik të Skenderajt, duke sponsorizuar klubin e futbollit për të parandaluar largimin e të rinjve nga vendi.

“Nuk kam menduar që humanizmi duhet të kthehet në votë,” thekson ai, duke e parë kontributin si një detyrim moral.

“Unë kam kontribuar çdoherë për Kosovën, duke filluar prej para luftës, gjatë luftës, sidomos, gjatë formimit të celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fondin Vendlindja Thërret, po edhe pas luftës në familje me nevojë, me nevoja të veçanta ose nevoja sociale. Unë isha edhe në listën e kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit. Edhe më ra rasti që ta vizitoj të gjitha fshatrat e Kosovës dhe lagjet e Kosovës dhe me të vërtetë u ndjeva shumë keq. Unë kam menduar që Kosova nuk është në këtë situatë. Kam parë fshatra, kam parë lagje, kam parë familje që me të vërtetë kanë pasur nevojë jashtëzakonisht shumë. Edhe kjo ishte një ndër arsyet që unë fillova maksimalisht me dhënë kontribut me humanizëm. Nuk i kam bërë publike kurrë këto, se nuk kam menduar që humanizmi duhet të kthehet në votë”, ka shtuar ai.

Dervishaj, beson se diaspora duhet të ketë një zë të fuqishëm në Kuvendin e Kosovës për të adresuar çështje kyçe si funksionimi i shkollave shqipe në Gjermani.

“Diaspora ka bërë shumë për Kosovën. Ka bërë çdo herë për Kosovën, po kurrë nuk ka marrë kurrgjë prej Kosovës. Domethënë edhe vazhdon edhe sot. Kryesia e degës, 21 anëtarë, njëzëri kanë shprehur dëshirën që unë të jem në listën e kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës këtu. Diaspora duhet ta ketë zërin e saj këtu në Kuvendin e Kosovës. Diaspora nuk kërkon shumë, i ka dy-tri pika që do të veçoheshin. Për momentin nuk funksionon asgjë, shkollat shqipe nuk funksionojnë. Ministria e Jashtme me të vërtetë nuk është aktive në diasporë. Konsullatat, përfaqësitë diplomatike nuk funksionojnë si duhet. Nuk është jeta funksionale, domethënë mërgata e ka shumë të vështirë komunikimin me shtetin amë. Për atë arsye pikat e mia kryesore që kisha me qenë, hapja e shkollave në të gjitha qytetet e mëdha të Gjermanisë”, ka theksuar Dervishaj.

Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme, ai është optimist për një rritje të ndjeshme të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nën udhëheqjen e Bedri Hamzës, duke besuar se sipas tij keqqeverisja e fundit do t’i shtyjë qytetarët drejt një alternative të re.

Ai shprehet se PDK do të jetë në gjendje të formojë qeverinë e re, duke sjellë një frymë bashkëpunimi dhe duke i dhënë përparësi shtetit mbi pushtetin.

“Situata e krijuar, bllokimi i shtetit, keqqeverisja në të gjitha fushat, kjo ka me sjellë natyrisht ngritjen e Partisë Demokratike të Kosovës, por jo vetëm të Partisë Demokratike të Kosovës. Ma merr mendja që dhe partitë e tjera opozitare kanë me pasur një ngritje, Lëvizja Vetëvendosje ka me pasur një rënie, që është shumë e mirë. Se ka ardhur në pushtet me disa premtime, me shumë premtime dhe nuk ka arritur me i përmbushur as për së afërmi… Për atë arsye ka me pasur Partia Demokratike rritje, e kemi edhe kryeministrin më të mirin e mundshëm, që është me të vërtetë i dashur për të gjithë, është një njeri nuk është përçarës, është një njeri bashkëpunues. Edhe për atë arsye Partia Demokratike e Kosovës ka me pasur një ngritje të jashtëzakonshme dhe kemi me arritur që me formu qeverinë pas 28 dhjetorit”, ka thënë Dervishaj.
Nga një i ri që u largua për një jetë më të mirë, kandidati për deputet nga PDK-ja me numër 77 në listën bartëse të PDK-së, Shahin Dervishaj, tani kthehet me synimin për të sjellë përvojën, disiplinën gjermane të punës dhe një thirrje për unitet, duke u zotuar se do të punojë për një Kosovë më stabile dhe një diasporë më të bashkuar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se java…