Nuk pres marrëveshje finale nga takimi i Uashingtonit

19 gusht 2020 | 20:27

Analisti politik Ilir Ibrahimi ka bërë me dije se nuk pret që në takimin e 2 shtatorit në Uashington të arrihet ndonjë marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka deklaruar se ende nuk janë arritur kushtet për një gjë të tillë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se inkurajues është fakti që ShBA-ja vazhdon të tregojë një interes për të qenë e kyçur në arritjen e një marrëveshje finale. “Unë nuk pres ndonjë marrëveshje përfundimtare nga ky takim sepse nuk janë edhe kushtet për një gjë të tillë. Ajo që është inkurajuese, është fakti se ShBA-ja vazhdon të tregojë një interes për të qenë e kyçur në arritjen e një marrëveshjeje. Përvoja e deritanishme na tregon se pa një rol aktiv të ShBA-së gjërat në Ballkan nuk lëvizin”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka theksuar se është shumë inkurajues fakti që ky takim organizohet nën ombrellën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së. “Duke pasur parasysh të gjithë konstelacionin e zhvillimeve në Bruksel dhe Uashington, nuk pres që do të ketë ndonjë marrëveshje finale, por mund të presim ndonjë marrëveshje për çështje ekonomike si dhe arritje të ndonjë mirëkuptimi se çfarë pritet të arrihet me marrëveshjen përfundimtare”, është shprehur Ibrahimi.

Sipas tij, kyçja e Uashingtonit në dialog tanimë ka ndikuar në procesin e Brukselit.

Ai ka thënë se do të ketë një angazhim më të madh të Brukselit pas këtij angazhimi amerikan. “Unë vazhdoj të besoj, ashtu edhe siç na tregon historia, se Brukseli, i vetëm, pa një rol aktiv të Uashingtonit, nuk do të mund t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje. Shpresoj dhe besoj se ky takim do të krijojë momentumin e nevojshëm që Brukseli e Uashingtoni, të koordinuar, ta arrijnë pajtimin e dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, përmes një marrëveshjeje për njohje të ndërsjellë”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi ka deklaruar se spektri politik duhet të arrijë një konsensus për dialogun para këtij takimi. “Fatkeqësisht, spektri politik i Kosovës për një kohë të gjatë e ka shfrytëzuar çështjen e dialogut dhe çështje të tjera të politikës së jashtme për interesa të brendshme të luftës ndërpartiake. Qeveria e Kosovës duhet të ndërtojë një konsensus sa më të gjerë për dialogun. Fatkeqësisht, një gjë të tillë nuk po e shohim ende dhe kjo kam frikë se do të vazhdojë të na dëmtojë”, është shprehur Ibrahimi.

“Epoka e re”: Z. Ibrahimi, cilat janë pritjet tuaj për takimin e 2 shtatorit në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë?
Ibrahimi: Pas dështimit të takimit të qershorit, dhe pas një lloj pauze të angazhimit amerikan, është lajm i mirë që takimi do të ndodhë në shtator. Përveç peshës simbolike që ka një takim në Shtëpinë e Bardhë, është shumë inkurajues fakti që ky takim organizohet nën ombrellën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së dhe kjo duhet të mirëpritet dhe përshëndetet. Duke pasur parasysh të gjithë konstelacionin e zhvillimeve në Bruksel dhe Uashington, nuk pres që do të ketë ndonjë marrëveshje finale, por mund të presim ndonjë marrëveshje për çështje ekonomike si dhe arritje e ndonjë mirëkuptimi se çfarë pritet të arrihet me marrëveshjen përfundimtare. Presidenti Trump, tanimë përmes dy letrave drejtuar presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, e ka bërë të qartë që marrëveshja përfundimtare duhet të çojë te një njohje e ndërsjellë. Ky është edhe një argument që ShBA-ja është e qartë në atë që pret nga dialogu, ndërkohë që Bashkimi Evropian vazhdon të jetë në amulli në qëndrimin e vet.

“Epoka e re”: Përfaqësuesit institucionalë dhe politikë të Kosovës e kanë mirëpritur këtë takim, përveç Albin Kurtit, i cili e ka kritikuar takimin. Madje ai ka thënë se z. Grenell e do një sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme. Si e keni parë qëndrimin e Kurtit?
Ibrahimi: Z. Kurti tanimë e ka përsëritur disa herë qëndrimin e vet ndaj iniciativës së ShBA-së dhe mendoj se është për të ardhur keq se si ai e ka humbur një mundësi për ta marrë përgjegjësinë që i takon dhe për të qenë pjesë e arritjes së një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kohën sa ishte kryeministër. Argumentimi se ShBA-ja dëshiron një sukses në politikën e jashtme para zgjedhjeve presidenciale është qesharak. Nëse dikush mendon se në një kohë pandemie, krize ekonomike dhe sociale të paparë për dekada, marrëveshja Kosovë – Serbi do të ketë ndonjë rol në zgjedhjet presidenciale, është me të vërtetë amatore. Edhe në kohë normale politika e jashtme ka ndikim minimal në zgjedhje. Ky argumentim mund të përdoret për konsum të brendshëm, por assesi nuk është argument i bazuar.

“Epoka e re”: Mund ta presim arritjen e ndonjë marrëveshje nga ky takim?
Ibrahimi: Unë nuk pres ndonjë marrëveshje përfundimtare nga ky takim sepse nuk janë edhe kushtet për një gjë të tillë. Ajo që është inkurajuese, është fakti se ShBA-ja vazhdon të tregojë një interes për të qenë e kyçur në arritjen e një marrëveshjeje. Përvoja e deritanishme na tregon se pa një rol aktiv të ShBA-së gjërat në Ballkan nuk lëvizin. Me gjithë respektin për BE-në, struktura e fragmentuar dhe interesat e ndryshme të shteteve anëtare brenda kësaj organizate, e kanë bërë atë të paaftë për të pasur një qasje koherente në politikën e jashtme në përgjithësi dhe në qasjen ndaj Kosovës në veçanti.

“Epoka e re”: Mospajtimet e partnerëve të koalicionit qeverisës për procesin ekzistojnë. A është e gatshme Qeveria e Kosovës për këtë takim?
Ibrahimi: Mospajtimet e partnerëve të koalicionit nuk janë të shëndosha në procese të tilla, ku interesi vital i vendit është në pyetje. Fatkeqësisht, spektri politik i Kosovës për një kohë të gjatë e ka shfrytëzuar çështjen e dialogut dhe çështje të tjera të politikës së jashtme për interesa të brendshme të luftës ndërpartiake. Qeveria e Kosovës duhet të ndërtojë një konsensus sa më të gjerë për dialogun. Fatkeqësisht një gjë të tillë nuk po e shohim ende dhe kjo kam frikë do të vazhdojë të na dëmtojë.

“Epoka e re”: Çfarë duhet të bëjë spektri politik i Kosovës para këtij takimi?
Ibrahimi: Spektri politik i Kosovës është i vetëdijshëm se dialogu me Serbinë është i një rëndësie nacionale. Këtë duhet ta dëshmojë edhe me veprime konkrete. Për çështje të interesit nacional nuk mund të ketë inate dhe teke personale, por të gjithë duhen bërë bashkë për ta çuar atë interes përpara. Nëse kemi arritur të bëhemi bashkë në kohë lufte, atëherë është pakuptueshme se si nuk arrijmë ta bëjmë një gjë të tillë sot kur jemi shtet i pavarur.

“Epoka e re”: Sa mund të ndikojë ky takim në procesin e dialogut të Brukselit?
Ibrahimi: Kyçja e Uashingtonit në dialog tanimë e ka ndikuar Brukselin. Ne kemi parë një angazhim më të madh të Brukselit pas këtij angazhimi amerikan. Ne koluare është thënë se kjo po bëhet nga frika se mos Uashingtoni po e merr primatin e dialogut. Unë vazhdoj të besoj, ashtu edhe siç na e tregon historia, se Brukseli i vetëm, pa një rol aktiv të Uashingtonit, nuk do të mund t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje. Shpresoj dhe besoj se ky takim do ta krijojë momentumin e nevojshëm që Brukseli dhe Uashingtoni të koordinuar, ta arrijnë pajtimin e dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, përmes një marrëveshjeje për njohje të ndërsjellë.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Speciale ka ftuar edhe një ish-ushtar të Ushtrisë Çlirimtare…