Intervistë / S’ka arsye t’i vazhdohet mandati Gjykatës Speciale

26 gusht 2020 | 19:17

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka deklaruar se nuk ka arsye që Gjykatës Speciale t’i vazhdohet mandati ashtu siç ka kërkuar presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se nuk i di arsyet pse presidenti ka bërë një gjë të tillë, por është kundër këtij propozimi. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos ia vazhdojnë mandatin kësaj gjykate.

Nasim Haradinaj ka deklaruar se për këta pesë vjet kjo gjykatë ka treguar se nuk ka prova për të ngritur aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Sipas tij, kjo gjykatë i ka pastruar pretendimet për krime. “Kjo gjykatë ka dështuar të ngritë aktakuza, ani pse ka punuar për të mbledhur materiale për akuza, por nuk ia ka arritur qëllimit sepse nuk ka pasur prova. Në njëfarë mënyre kjo gjykatë na ka pastruar, sepse pretendimet e tyre kanë qenë të pabazuar. Kjo gjykatë e ka kryer punën e vet dhe ka dëshmuar se nuk ka prova për pretendimet e ngritura. Tashmë ka përfunduar afati i saj. Gjykata Speciale nuk ekziston më”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se Gjykatës Speciale i ka mbaruar mandati nga 3 gushti. Sipas tij, kushdo që pretendon se kjo gjykatë ka mandat, është në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

Më tej, Haradinaj ka thënë se nuk beson se do të mund të mblidhen 80 deputetë për t’ia vazhduar mandatin kësaj gjykate. “Presidenti Thaçi duhet ta dijë se më nuk i ka ata deputetë që i kishte dikur”, është shprehur Haradinaj.

“Epoka e re”: Z. Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi i ka propozuar Kuvendit të Kosovës zgjatjen e mandatit të Gjykatës Speciale. Si e keni parë kërkesën e presidentit?
Haradinaj: Presidenti i di arsyet e veta pse ka bërë një propozim të tillë. Nuk dua të spekuloj se ka presion për këtë çështje. Por ajo që dihet është se tash së fundi është shtuar një presion publik ndërkombëtar ndaj presidentit dhe Kosovës. Kjo u pa edhe me bërjen publike të atyre propozim-aktakuzave ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli. Për Organizatën e Veteranëve të Luftës UCK-së kjo është një kërkesë jovalide. Ne jemi katërçipërisht kundër kësaj kërkese dhe nuk pajtohemi në asnjë mënyrë. Përkundrazi, mendoj se presidenti është dashur të mësojë nga gabimet e veta në të kaluarën, që u ka besuar ndërkombëtarëve, të cilët i kanë premtuar se do ta ndërtojnë një gjykatë të paanshme. Pra, e kanë mashtruar. Në fakt, ata ndërtuan një gjykatë të njëanshme dhe të padrejtë ndaj shqiptarëve dhe UÇK-së.

“Epoka e re”: Pra, ju mendoni se publikimi i propozim-aktakuzave ndaj Thaçit dhe Veselit ka lidhje me vazhdimin e mandatit për Specialen?
Haradinaj: Për mua ky ka qenë një presion i përgjithshëm për presidentin dhe për të gjithë ne të tjerët. Mirëpo kësaj radhe mendoj se deputetët duhet të jenë të matur dhe t’i marrin parasysh projekt-propozimet e organizatës tonë që i kemi dërguar në Kuvend.

“Epoka e re”: Çfarë po kërkoni tani?
Haradinaj: Ne më nuk e kërkojmë zhbërjen e kësaj gjykate, sepse Gjykata Speciale tashmë është vetëzhbërë. Ajo e ka shpenzuar veten duke e kaluar mandatin pesëvjeçar. Për këto vite nuk ka mundur të gjejë asnjë material për ngritje të aktakuzës. Mendojmë se Specialja ka pranuar se nuk ka pasur material për aktakuza. Pra, ai ligj ka rënë poshtë dhe nga 3 gushti nuk ekziston de fakto, por as de juro. Gjykatës Speciale i ka kaluar mandati. Andaj më nuk kemi se çfarë të zhbëjmë. Nëse presidenti thotë se duhet t’i vazhdohet mandati kësaj gjykate, ai duhet ta dijë se për t’ia vazhduar mandatin kësaj gjykate i duhet që t’i sigurojë edhe një herë dy të tretat e votave në Kuvend. Pra, i duhet edhe një herë për t’u mashtruar presidenti nga të huajt sikurse e kanë mashtruar herën e parë.

“Epoka e re”: Çfarë do të thotë për OVKUÇK-në fakti se kjo gjykatë për pesë vjet nuk ka ngritur zyrtarisht ende asnjë aktakuzë?
Haradinaj: Kjo gjykatë ka dështuar të ngrehë aktakuzë ani pse ka punuar për të mbledhur materiale për akuza, por nuk ia ka arritur qëllimit sepse nuk ka pasur prova. Në njëfarë mënyre kjo gjykatë na ka pastruar, sepse pretendimet e tyre kanë qenë të pabazuara. Kjo gjykatë e ka kryer punën e vet dhe ka dëshmuar se nuk ka prova për pretendimet e ngritura. Tashmë ka përfunduar afati i saj. Gjykata Speciale më nuk ekziston. Në fund po del ajo që ka thënë qysh në fillim të procesit OVL-UÇK-ja. Kjo gjykatë është politike dhe pretendimet e saj nuk i ka të bazuara. Ndoshta Specialja mund të thotë se ende nuk i ka përfunduar rastet që i ka hetuar, mirëpo çdo ftesë e re që bëhet për pjesëtarët e UÇK-së jashtë këtij afati, mendoj se bie në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe të drejtat e njeriut.

“Epoka e re”: A do të thotë kjo se më nuk ka arsye që t’i zgjatet mandati kësaj gjykate?
Haradinaj: Natyrisht se nuk ka arsye. Kjo gjykatë nuk ka qenë e përjetshme. Gjykatës Speciale i është caktuar një mandat brenda të cilit mund t’i hetojë krimet e pretenduara. Tash pse t’i zgjatet mandati?! Me vetë faktin se kjo gjykatë nuk ka gjetur materiale për të ngritur aktakuza, sepse nuk e lë për qejf këtë çështje, ajo është devalvuar. U dëshmua se është puropolike dhe u dëshmua se pa bazë është ngritur kjo gjykatë.

“Epoka e re”: Por presidenti po thotë se ka arsye?
Haradinaj: Ne i kemi dërguar propozimet tona në Kuvend për t’i vendosur para aktit të kryer deputetët të cilët e kanë ditur se kjo gjykatë është kundër shqiptarëve por, megjithatë, e kanë votuar. Tash t’i shohim veprimet e tyre. Nëse presidenti dëshiron t’ia zgjasë mandatin Gjykatës Speciale, duhet t’i mbledhë 80 deputetë.

“Epoka e re”: A besoni se do të mund të binden 80 deputetë përsëri për t’ia vazhduar mandatin Speciales?
Haradinaj: Presidenti Thaçi duhet ta dijë se më nuk i ka ata deputetë që i kishte dikur. Më nuk i ka deputetët e dëgjueshëm, sepse ata tanimë janë vetëdijesuar dhe e kanë parë se çfarë gabimi kanë bërë atëherë kur është votuar kjo gjykatë. Në propozimet tona që i kemi dorëzuar në Kuvend kemi thënë se nëse duan t’ia vazhdojnë mandatin kësaj gjykate, atëherë duhet të ndiqen të gjitha krimet që janë bërë në Kosovë, pa marrë parasysh nacionalitetin. Kjo gjykatë duhet ta ketë preambulën e gjykatës së Kosovës. Arkivat e Gjykatës Speciale të kthehen në Kosovë dhe ato të ruhen e të mos demolohen. Dhe në fund, kemi kërkuar që kjo gjykatë të mbikëqyret dhe të monitorohet nga një komision. Mirëpo, ne një herë i kemi dhanë shansin kësaj gjykate, duke e lejuar me Kushtetutë dhe ligje. Tash mendoj se bien ndesh me Kushtetutën ata të cilët mendojnë se ka mandat kjo gjykatë.

(Muhamet KOCI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli ka…