Involvimi i ‘Guardia di Finanza’, shpresë për zbulimin e krimit financiar

18 nëntor 2020 | 14:45

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, i cili është udhëheqës i Sekretariatit të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimore me seli në Trieste të Italisë, ka thënë se ftesa e ministres së Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami që “Guardia di Finanza” të bëjë zbardhjen e krimit financiar në zyrën e Thesarit, është shpresëdhënës se mund të zbulohen edhe krimet e tjera financiare.

“Kosova është duke u ballafaquar me sfida të shumta, një njërën anë pandemia Covid-19 dhe në anën tjetër pandemia ekonomike-sociale, e mbi të gjitha ajo politike. Në këtë drejtim shumë qarqe të caktuara të krimit, të trashëguar nga e kaluara dëshirojnë të shfrytëzojnë ketë momentum të krijuar për qëllime të caktuara të grabitjes. Jemi dëshmitar të asaj se në Kosovë mungon sundimi i rëndit dhe ligjit dhe gjithashtu mungon transparenca. Pra, si shkak i kësaj tentohen të bëhen grabitje. Thirrja e ministres Hykmete Bajrami që ‘Guardia di Finanza’ të bëjë hetim, është një rast eklatant dhe një shpresë e fundit për zbardhjen e krimit financiar në Thesar, aty ku u bë bartja e mjeteve më shumë se 2 milionë euro. Ftesa e Bajramit, dëshmon më së miri humbjen e besimit në institucionet vendore dhe nevojën e zbardhjes së krimit që mund të ketë ndodhur edhe në të kaluarën, gjë që kjo është shqetësuese, sepse pos skandalit të fundit mund të ketë ndodhur edhe skandale të tjera”, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” Gërxhaliu.

Ai ka folur dhe për rolin e “Guardia di Finanza” dhe mundësinë e mbulimit të kostos financiare ndaj tyre. “Involvimi i ‘Guardia di Finanza’ ka një traditë jo vetëm në Itali por edhe  në vendet e tjera për të zbuluar krimin e organizuar. Kjo është shpresëdhënëse, sepse kemi shumë rrugë, kanalizime dhe projekte të papërfunduar, ndërkaq për cilësi mos të flasim. Besoj se është koha e fundit kur duhet të kemi guxim për ballafaqim me krimin e organizuar. ‘Guardia di Finanza’ është organizatë e specializuar që funksion në kuadër të OKB-së, dhe në këtë drejtim kredibiliteti i saj nuk duhet të vihet në dyshim por ne duhet të jemi të përgatitur”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka thënë se Kosova ka donatorë të ndryshëm që e mbështesin në forma të ndryshme, dhe sipas tij, kostoja për t’u angazhuar “Guardia di Finanza” mund të mos se prekë direkt buxhetin e Qeverisë së Kosovës. “Kjo mund të mbulohet në forma të ndryshme, qoftë nga donacionet nga Bashkimi Evropian në bashkëpunim me Qeverinë e Italisë”, u shpreh ai.

Më 6 tetor 2020, “Gurdia di Finanza” bashkë me ambasadorin italian në Kosovë, Nicola Orlando kanë vizituar Ministrinë e Financave dhe Transfereve.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të ATK-së, Doganave dhe të Njësisë së Inteligjencës Financiare.

Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, ka bërë me dije se në këtë takim kanë biseduar për një projekt të mundshëm në mes “Gurdia di Finanza”, ATK-së, Doganës dhe NJIF, projekt ky që do të financohej nga BE-ja. “Qëllimi i këtij bashkëpunimi është luftimin e evazionit, informalitetit, kontrabandës, pastrimit të parave dhe aktiviteteve tjera të kundërligjshme që dëmtojnë financat publike. Në atë takim jemi pajtuar që institucionet tona të identifikojnë fushat ku dëshirojnë bashkëpunim, gjë të cilën e kanë bërë me kohë.  Pas vjedhjes në Thesar, në cilësinë e Ministres së Financave i kam dërguar letër ambasadorit Italian, që në fusha të bashkëpunimit të përfshihet edhe Thesari, me theks auditimi në Thesar, por edhe ngritja e nivelit të sigurisë dhe integritetit të sistemit. Njëherësh kam kërkuar nga ambasadori i BE-së z. Tomas Szunyog edhe mbushjen financiarë nga BE që ‘Gurdia di Finaza’ të auditojë Thesarin”, ka deklaruar ministrja Bajrami.

(Albulena S. MAVRAJ / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e njohur, Rezarta Shkurta, feston ditën e sotme ditëlindjen.…