
IPK suspendon një rreshter dhe katër zyrtarë policor lidhur me vdekjen e dyshimtë të 27-vjeçarit në Lipjan
Rasti i vdekjes së 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu në Lipjan është duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, derisa ky institucion ka supsenduar pesë zyrtarë policor, raporton Periskopi.
Sipas njoftimit të IPK-së, bëhet fjalë për një rreshter dhe katër zyrtarë policosrë të cilët kanë qenë të përfshirë nëreagim policor.
Njoftimi i plotë:
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit janë duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me vdekjen e një qytetari në Lipjan dhe reagimit të zyrtarëve policorë në këtë incident sot pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan .
Në kuadër të veprimeve hetimore përfshihet edhe identifikimi dhe intervistimi i dëshmitarëve okular të këtij rasti si dhe ka filluar mbledhja e provave materiale, incizimeve nga kamerat e sigurisë dhe incizimet nga telefonat mobil.
Që të gjitha këto video materiale do të jenë pjesë e ekzaminimeve të detajuara që pritet të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të këtij incidenti por edhe mënyrës së reagimit policor.
Në interes të zhvillimit të hetimit, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të përkohshëm për pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor( përfshirë një rreshter dhe katër zyrtarë policorë).
Suspendimi i tyre është masë administrative e përkohshme dhe në këtë fazë nuk paragjykon përgjegjësinë e tyre ligjore apo profesionale.
IPK në koordinim me Prokurorinë e Shtetit është duke bërë një hetim të pavarur, objektiv dhe të gjithanshëm për të përcaktuar nëse gjatë ndërhyrjes/reagimit policor janë respektuar procedurat ligjore dhe standardet profesionale të veprimit policor.
IPK rikujton opinionin e gjerë se rastet e kësaj natyre trajtohen me prioritet të lartë dhe çdo përgjegjësi eventuale individuale apo edhe institucionale do të adresohet bazuar në të gjeturat e hetimit dhe autorizimet ligjore të IPK-së dhe ligjeve të tjera në Republikën e Kosovës.