Irani fortifikon kompleksin nëntokësor pranë një objekti bërthamor

13 shkurt 2026 | 08:06

Irani ka  filluar një kompleks nëntokësor pranë një prej objekteve të tij bërthamore, sipas analizave të imazheve të reja satelitore. Kjo po ndodh në një periudhë tensionesh të larta, ndërsa vazhdojnë bisedimet mes zyrtarëve iranianë dhe atyre amerikanë. Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me veprime të reja ushtarake nëse Irani nuk pranon një marrëveshje të re për programin e tij bërthamor.

Fotot, të analizuara fillimisht nga Institute for Science and International Security (ISIS), tregojnë se hyrjet e tuneleve në malin Kolang Gaz La (i njohur edhe si “Pickaxe Mountain”) janë duke u përforcuar me beton dhe struktura mbrojtëse. Sipas ekspertëve, këto ndryshime mund të jenë për të mbrojtur aktivitetet e pasurimit të uraniumit ose pajisje të rëndësishme, por qëllimi i saktë mbetet i paqartë, raporton BBC.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është plotësisht paqësor dhe mohon se synon të zhvillojë armë bërthamore. Megjithatë, Trump ka deklaruar se Irani ishte vetëm një muaj larg prodhimit të një arme bërthamore në qershor 2025, kur ai urdhëroi sulme ndaj tre objekteve nëntokësore ku prodhohej uranium i pasuruar.

Kompleksi “Pickaxe Mountain” nuk ishte ndër objektivat e sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite në qershor 2025, por objekti bërthamor i Natanz, rreth 2 km në veri, u godit. Pamjet satelitore tregojnë beton të freskët në hyrje të tuneleve dhe praninë e makinerive të rënda ndërtimi, çka sugjeron se objekti ende nuk është gati për funksionim.

Po ashtu, punime riparimi dhe përforcimi janë vërejtur në kompleksin bërthamor të Isfahan. Hyrjet e tuneleve atje duket se janë mbuluar me dhe, gjë që sipas ekspertëve do të ndihmonte në zbutjen e efekteve të një sulmi ajror ose në mbrojtjen nga një sulm tokësor.

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grossi, ka deklaruar se ekziston një “dritare mundësie” për një marrëveshje të re mes Iranit dhe SHBA-së, por ajo mund të mbyllet shpejt nëse nuk shfrytëzohet.

Sipas vlerësimeve, Irani posedon rreth 400 kg uranium shumë të pasuruar, që teknikisht është vetëm një hap i vogël larg nivelit të nevojshëm për armë bërthamore, dhe besohet se ky material mund të ndodhet ende në strukturat nëntokësore.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet japoneze thonë se kanë sekuestruar një anije peshkimi kineze…