Irani përballë doktrinës Trump, deterrencës strategjike, kostos dhe perspektivës transformuese
Shkruan: Hisen Berisha
Zhvillimet aktuale në Iran paraqesin një nyje të ndërlikuar mes presionit të brendshëm shoqëror, tensioneve rajonale dhe rivalitetit strategjik me SHBA-në. Në këtë kontekst, rikthimi i qasjes së artikuluar nga Presidenti Trump si “paqe përmes forcës dhe vendosjes së drejtësisë” si dhe “stabilitet politik përmes zhvillimit ekonomik”, riformëson parametrat e llogaritjes politike dhe ushtarake në terren.
Mesazhi i drejtpërdrejtë nga Presidenti Trump, drejtuar strukturave të sigurisë iraniane, “dorëzimi i armëve kundrejt imunitetit, ose përballja me pasoja të rënda”, përbën një instrument presioni maksimal me objektiv të trefishtë:
– çarjen e kohezionit të elitave të sigurisë;
– delegjitimimin e represionit të brendshëm;
– krijimin e kushteve për tranzicion të kontrolluar.
Nga pikëpamja diplomatike, kjo qasje mbështetet në logjikën klasike të deterrencës së qartë, pa ambiguitet strategjik.
Suksesi i saj varet nga uniteti i aleatëve perëndimorë dhe një oferte reale për zhvillim ekonomik pas deeskalimit.
Doktrina “stabilitet përmes zhvillimit ekonomik” synon të japë një alternativë konkrete ndaj izolimit, si integrim gradual në tregjet ndërkombëtare, lehtësim sanksionesh në këmbim të ndryshimeve të verifikueshme, dhe orientim drejt ekonomisë produktive, jo të militarizuar.
Nëse presioni nuk shoqërohet me perspektivë zhvillimi, ai rrezikon të prodhojë konsolidim represiv, jo transformim.
Nga këndvështrimi ushtarak, doktrina e “paqes përmes forcës” kërkon:
– superioritet të qartë ajror dhe raketor në rajon;
– prani detare parandaluese në Gjirin Persik;
– aftësi C4ISR (komandë, kontroll, komunikim, inteligjencë, mbikëqyrje dhe zbulim) për reagim të shpejtë dhe kontroll të hapësirës operative.
Mesazhi i prerë i Presidentit Trump është tipik i një strategjie ku psikologjia e frikës operative përdoret për të shmangur konfliktin e hapur.
Nëse deterrenca funksionon, konflikti mbetet në fazën e presionit, nëse dështon, përshkallëzimi mund të jetë i shpejtë dhe me pasoja rajonale.
Nga perspektiva e një ushtaraku me përvojë në terren, është e qartë se, qartësia strategjike ul rrezikun e keqllogaritjes ndërsa heqja e ambiguitetit rrit koston e aventurizmit ushtarak.
Në planin gjeostrategjik, dimensioni iranian tejkalon kufijtë rajonalë. Russia e ka përdorur Iranin si hapësirë ndikimi dhe instrument presioni indirekt ndaj Perëndimit, duke e shfrytëzuar si nyje energjetike dhe si faktor destabilizues në kalkulimet euro-aziatike.
Kina e sheh Iranin si pjesë të korridoreve të saj strategjike energjetike dhe tregtare drejt Indo-Paqësorit, ndërsa India ruan interesa të drejtpërdrejta në aksesin energjetik dhe balancën rajonale.
Çdo riformatim politik në Teheran do të ndikojë drejtpërdrejt në arkitekturën e furnizimit global me energji dhe në rivalitetin e fuqive të mëdha. Në këtë kuadër, doktrina e “forcës për paqe” merr dimension global, jo vetëm rajonal.
Në vlerësimin gjeostrategjik politik, ekonomik dhe të sigurisë, tre skenarë mbeten të mundshëm:
1. Deeskalim i kontrolluar, presioni ekonomik dhe ushtarak çon në lëshime graduale dhe riformatim të marrëdhënieve.
2. Përshkallëzim i kufizuar, incidente të kontrolluara, goditje precize, por pa luftë të përgjithshme.
3. Konflikt i hapur rajonal, me implikime serioze për energjinë globale dhe arkitekturën e sigurisë në Lindjen e Mesme.
Në procesin post-konflikt, një element vendimtar mbetet reforma e thellë e sektorit të sigurisë në Iran.
Transformimi në kuadër të reformave të avancuara të modernizimit ushtarak nis me kalimin nga struktura ideologjike e militarizuar në një forcë kombëtare profesionale me kontroll civil efektiv.
Sot, Presidenti Trump po synon ta adresojë këtë boshllëk përmes angazhimit të aleatëve në një arkitekturë bashkëpunuese të quajtur “Bordi i Paqes”, e cila do të garantonte asistencë në reformimin e doktrinës, komandës dhe kontrollit, si dhe mbikëqyrje ndërkombëtare të tranzicionit në fushën e sigurisë. Nga prizmi profesional si pjesë e gjeneralisimit ushtarak e politik, vlerësoj se është e qartë se pa reformë reale të sektorit të sigurisë, çdo stabilitet politik do të mbetet i përkohshëm.
Nëse doktrina “forcë për paqe” kombinohet me një plan real zhvillimi ekonomik dhe tranzicioni politik, gjasat për skenarin e parë “deeskalimin e kontrolluar” rriten. Pa ofertë politike pas presionit, rreziku i radikalizimit të brendshëm dhe konsolidimit represiv mbetet i lartë.
Si ushtarak me përvojë operacionale dhe si aktor politik që kam mbështetur publikisht nisma kundër represionit dhe në mbrojtje të të drejtave qytetarëve iranianë, qëndrimi im rezonon me dy parime themelore:
– deterrencën si instrument për të shmangur luftën, jo për ta provokuar atë,
– mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, drejtës ndërkombëtare, dhe zhvillimi ekonomik si themel i stabilitetit afatgjatë.
Qasja mbështetëse ndaj doktrinës së Presidentit Trump nuk nënkupton promovim të konfliktit apo të luftës, por afirmon bindjen se forca e qartë dhe e besueshme, e kombinuar me ofertë reale zhvillimi, drejtësie dhe reforme strukturore, mund të prodhojë dhe imponojë stabilitet më të qëndrueshëm sesa kompromiset e paqarta diplomatike.
Çelësi i suksesit nuk qëndron vetëm te presioni, por te balanca dhe harmonizimi i tri shtyllave thelbësore siç janë fuqia ushtarake, koherencë diplomatike dhe vizionit ekonomik afatgjatë. Nëse këto bashkërendohen me unitet aleatësh dhe me reformë reale të sektorit të sigurisë, konflikti mund të kanalizohet drejt transformimit strategjik dhe jo drejt përshkallëzimit të pakontrolluar.



