Irani pretendon operacion masiv spiunazhi kundër Izraelit

08 qershor 2025 | 15:09

Transmetuesi shtetëror i Iranit, IRIB ka raportuar për atë që e ka përshkruar si një prej “operacioneve më të mëdha të inteligjencës” në histori kundër Izraelit, duke pretenduar se inteligjenca iraniane ka siguruar një mori “dokumentesh sensitive” – përfshirë mijëra që lidhen me projektet dhe qendrat bërthamore izraelite – prej brendësisë së territorit izraelit.

Televizioni e ka ndërprerë programin e rregullt më 7 qershor për të bërë të ditur këtë lajm.

Në të është thënë se operacioni ka përfshirë nxjerrjen e “informacioneve dhe dokumenteve strategjike dhe të ndjeshme me bollëk” nga Izraeli, duke cituar “burime rajonale” të paidentifikuara.

Sipas raportimeve, dokumentet janë transferuar në Iran pas një periudhe, për të garantuar udhëtim të sigurt. IRIB ka thënë se sasia e materialeve është aq e madhe sa që analizimi i tyre do të marrë kohë të konsiderueshme.

Transmetuesi i ka lidhur edhe arrestimet e fundit të dy shtetasve izraelitë – Roy Mizrahi dhe Almog Atias – me këtë operacion të inteligjencës.

Ndonëse arrestimet e Mizrahit dhe Atiasit janë konfirmuar, në publik nuk janë ofruar dëshmi të pavarura për të vërtetuar pretendimin e IRIB-it për nxjerrje masive të dokumenteve të lidhura me çështje bërthamore.

Autoritetet izraelite nuk kanë raportuar në këtë drejtim.

Këto pretendime vijnë gjashtë vjet pas një operacioni të profilit të lartë të inteligjencës izraelite brenda Iranit.

Më 2018, agjentët e Mossadit kanë vjedhur gati 100.000 dokumente prej një qendre sekrete në Teheran, duke kuptuar në hollësi për programin e fshehur të Iranit për armët bërthamore.

Dokumentet janë verifikuar nga ekspertët ndërkombëtarë dhe janë publikuar nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, çka duket se ka kontribuuar në tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga pakti bërthamor i vitit 2015, i nënshkruar nga Teherani dhe fuqitë botërore.

Pretendimi i fundit iranian – qoftë kredibil apo i ekzagjeruar – tregon për intensifikim të aktivitetit të spiunimit brenda Izraelit në vitin e fundit.

Agjencia izraelite Shin Bet ka raportuar për rritje të komploteve të spiunazhit të drejtuara nga Irani, me më shumë se 30 izraelitë të arrestuar për dyshime se kanë punuar në emër të Iranit.

Irani dhe Izraeli janë përfshirë në konflikte në hije për vite, duke përfshirë sulmet kibernetike, vrasjet e shënjestruara, operacionet me dronë dhe aktet e sabotazhit.

Teherani akuzon Izraelin se është mbrapa vrasjeve të disa shkencëtarëve bërthamorë iranianë, derisa Izraeli akuzon Iranin për përkrahje të grupeve militante rajonale dhe për orkestrim të sulmeve ndaj interesave izraelite jashtë shtetit.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli – që konsiderohet shteti i vetëm i Lindjes së Mesme me armë bërthamore – janë në krye të akuzave të Perëndimit që Irani synon të ketë program bërthamor.

Irani hedh poshtë këto akuza, duke thënë se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllim civile. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku ka reaguar pas ndeshjes…