Irani reagon zyrtarisht mbi raketën e lëshuar në Turqi: Nuk e kemi lëshuar ne
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit ka publikuar një deklaratë në të cilën mohon se ka lëshuar ndonjë raketë drejt Turqisë. Kjo vjen pasi Turqia tha dje se mbrojtja e NATO-s kishte rrëzuar një raketë që vinte nga Irani dhe po hynte në hapësirën e saj ajrore.
“Forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit respektojnë sovranitetin e vendit fqinj dhe mik, Turqinë, dhe mohojnë çdo lëshim rakete drejt territorit të atij vendi,” thuhet në deklaratën e ushtrisë iraniane, të cituar nga agjencia iraniane e lajmeve Mehr.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, raketa iu afrua hapësirës ajrore turke pasi kishte fluturuar mbi Irak dhe Siri.
Raketa u interceptua dhe nuk pati viktima. Presidenti Erdogan deklaroi se Turqia po “merr të gjitha masat e nevojshme paraprake” në konsultim me aleatët e saj në NATO dhe po jep “paralajmërime në termat më të qartë për të parandaluar që incidente të ngjashme të ndodhin përsëri”.



