Irani refuzon planin me 15 pika, ShBA-ja e gatshme t’i zbarkojë trupat në Lindjen e Mesme
Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se ka lëshuar raketa ndaj Izraelit dhe bazave ushtarake amerikane në Kuvajt, Jordani dhe Bahrein, duke përdorur edhe dronë sulmues.
Ndërkohë, Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore të reja në periferitë jugore të Bejrutit dhe po vazhdon bombardimet në jug të Libanit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, që nga 2 marsi janë vrarë mbi 1 mijë persona dhe janë plagosur rreth 3 mijë të tjerë.
Një zëdhënës i ushtrisë iraniane ka ironizuar pretendimet e ShBA-së për negociata, duke thënë se amerikanët “po negociojnë vetëm me veten”.
Nënkolonel Ebrahim Zolfaghari deklaroi se “fuqia strategjike” e ShBA-së është kthyer në dështim dhe akuzoi Washingtonin se po përpiqet të paraqesë humbjen si marrëveshje.
Ai theksoi se Irani nuk do të pranojë kurrë marrëveshje me ShBA-në, duke e bërë të qartë refuzimin e planit 15-pikësh për armëpushim të dërguar përmes Pakistanit.
Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar një grup njësish elitare ushtarake në Lindjen e Mesme, në një lëvizje që tregon përgatitje për operacione të mundshme ndaj objektivave strategjikë në Iran.
Në këtë dislokim përfshihen disa nga njësitë më të avancuara të operacioneve speciale amerikane, përfshirë:
160th SOAR (Night Stalkers), e specializuar në transport dhe mbështetje ajrore për operacione sekrete; Regjimenti i 75-të Ranger, i njohur për ndërhyrje të shpejta dhe goditje ndaj objektivave me vlerë të lartë; Delta Force (1st SFOD-D), njësia elitare kundër terrorizmit dhe misioneve me rrezik të lartë; 1st dhe 5th Special Forces Group, me përvojë në luftë jo-konvencionale dhe mbështetje të forcave lokale; Navy SEALs, të specializuar në operacione detare dhe ndërhyrje nga ajri, toka dhe deti.
Sipas analizave të ekspertëve, këto dislokime mund të lidhen me disa skenarë operacionalë:
Kontrolli i ishujve strategjikë pranë Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për transportin global të naftës; Sigurimi i ishullit Kharg, terminali kryesor i eksporteve të naftës iraniane; Operacione të mundshme ndaj objekteve bërthamore iraniane ose infrastrukturave të tjera me vlerë strategjike të lartë.
Kjo lëvizje e SHBA-së vjen pas sulmit të koordinuar të Izraelit dhe Uashingtonit ndaj centralit bërthamor të Bushehr, duke rritur tensionet në rajon dhe shqetësimet për sigurinë e transportit të energjisë dhe stabilitetin e përgjithshëm në Lindjen e Mesme.



