Irani thotë se s’ka “asnjë përparim të rëndësishëm” në bisedime, Trumpi pretendon se po shkojnë “shumë mirë”
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se nuk ka pasur “asnjë përparim të rëndësishëm” në bisedimet me SHBA-në gjatë ditëve të fundit, pavarësisht pohimeve të presidentit amerikan Donald Trump se bisedimet po shkojnë “shumë mirë”, shkruan CNN.
“Nuk ka asnjë proces formal negociatash në zhvillim midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, mesazhet vazhdojnë të shkëmbehen”, tha Araghchi në një intervistë për median arabe Al Mayadeen, e shpërndarë nga Ministria e Jashtme e Iranit.
Araghchi tha se Irani u dërgoi mesazhe amerikanëve këtë javë duke theksuar nevojën për të parandaluar një sulm izraelit ndaj Bejrutit.
“Kanalet tona të komunikimit nuk janë ndërprerë”, shtoi ai. “Të dyja palët ende po shqyrtojnë kornizat ekzistuese”.
Trumpi paraqiti një pamje më optimiste të negociatave për t’i dhënë fund luftës të mërkurën, duke lënë të kuptohet se një përparim i mundshëm mund të ndodhë që këtë fundjavë.



