
Isa Mustafa godet LDK-në: Fatkeqësisht e margjinalizuan Avdullah Hotin
Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, krejt papritur ka lartësuar dhe çmuar marrëveshjen e Uashingtonit të arritur nga asokohe kryeministër Avdullah Hoti.
Osmani që atëherë me Vetëvendosjen ishte në të njëjtën dallgë politike, e quante atë marrëveshje “kundër rendit kushtetues” sot ndërroi krejt termet.
Madje, ajo ditëve të fundit në ShBA, ka thënë se marrëveshja e Uashingtonit “është zbatuar”.
Isa Mustafa, ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një përgjigje për “Nacionalen”, e ka quajtur krejt këtë “mashtrim” nga ana e Vjosa Osmanit, teksa ka rikujtuar sulmet që asokohe bëheshin ndaj Avdullah Hotit, nënshkrues të kësaj marrëveshje.
Në këtë kritik, Mustafa nuk e ka kursyer as LDK-në.
“Të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me Trumpin dhe përfaqësuesit e tij janë eliminuar nga skena politike në Kosovë. Dihet, po ashtu, botërisht se marrëveshja nuk është zbatuar në asnjë pikë. Se Kryeministri i atëhershëm Avdullah Hoti, si nënshkrues i saj është sulmuar dhe kritikuar, për fat të keq jo vetëm nga VV dhe znj. Osmani por është margjinalizuar edhe nga partia e tij”, ka thënë Mustafa.