Isak Shabani u zgjodh Kryesues i Kuvendit Komunal të Podujevës

29 dhjetor 2025 | 15:39

Isak Shabani do ta udhëheq Kuvendin Komunal të legjislaturës së tetë të dalë nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Shabani, i cili nuk pati kundërkandidat, u zgjodh kryesues i Kuvendit me 21 vota për dhe 1 abstenim, ndërkohë që anëtarët e LDK-së nuk morën pjesë në votim.

Në fillim të kësaj mbledhje, që është e dyta e kësaj legjislature, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i njoftoi anëtarët e Kuvendit me emërimet në Ekzekutiv, e që disa prej tyre ishin zgjedhur anëtarë të Kuvendit në zgjedhjet e tetorit.

Anëtari më i moshuar i Kuvendit, Isak Ejupi, i cili e udhëhoqi mbledhjen para se të zgjedhej kyesuesi Shabani, i njoftoi të pranishmit se duhet të bëhet zëvendësimi i anëtarëve të Kuvendit, si në vijim: Bahri Selimin e zëvendëson Abedin Zeka, Vigan Salihun e zëvendëson Avni Islami, Lirie Hotin e zëvendëson Qëndresë Hajrizi dhe Avni Fetahun e zëvendëson Ardi Hasani.

Pas verifikimit të mandateve nga Komisioni përkatës, anëtarët e rinj e dhanë betimin dhe e nënshkruan deklaratën e marrjes së mandatit.

Më pas u ngrit Komisioni për mbarëvajtjen e procesit të votimit për kryesues në përbërje të tre anëtarëve. Kryesues u zgjodh Isak Shabani nga radhët e PDK-së.

Shabani i falënderoi anëtarët e Kuvendit për besimin e dhënë dhe u zotua se do të ushtrojë këtë detyrë me përkushtim dhe përgjegjësi.  “Këtë detyrë e kuptoj si shërbim ndaj qytetarëve dhe do të angazhohem maksimalisht që puna e këtij Kuvendi të jetë sa më transparente, ligjore dhe në interes të përgjithshëm”, tha ndër të tjera kryesuesi Shabani.

Gjatë kësaj seance, Kuvendi i ka zgjedhur edhe anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa në përbërje prej 9 anëtarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka nisur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë. Duke…