
Ish-anëtari i LV-së: Kurti u zbyth nga shantazhi me videoincizime
Azdren Shala, ish-anëtar i Vetëvendosjes, ka komentuar pranimin nga Qeveria e Kosovës të Planit për Deeskalim të gjendjes në veriun e Kosovës.
Ai beson se tërheqja “e shpejtë” nga Kurti ndodhi pas publikimit të incizimeve të bisedave të Mimoza-Kusarit me Listën Srpska.
“Që Kurti tërhiqet e kemi ditur të gjithë. Ama tërheqja kaq e shpejtë si pasojë e shantazhit me videoincizime me Listën Serbe e Radojçiqin, e bën hala më keq situatën”, ka shkruar Shala.
“Kjo nuk është më as tërheqje. Kjo është zbythje”, ka theksuar ai.
Qeveria e Kosovës njoftoi dje në mbrëmje se ka pranuar Planin për Deeskalim ku, mes të tjerash, parashihet tërheqja e pranisë policore, në masën 75 për qind, përreth ndërtesave komunale dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në katër konunat veriore “pas verës”.