
Ish-bashkëluftëtari i “Abesë”, Shefqet Loshaj kujton 27-vjetorin e rënies së heronjve në Junik
Ish-luftëtari i lirisë, Shefqet Loshaj, ka përkujtuar sot, 27-vjetorin e rënies së Gjeneralit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bekim Berisha – “Abeja”, dhe të bashkëluftëtarëve të tij trima, të rënë në betejën e Junikut më 10 gusht 1998.
Në këtë ditë të lavdishme, por edhe të dhembshme, ranë dëshmorë edhe Bedri Shala, Elton Zherka, Përmet Vula, Bashkim Leku e të tjerë, duke lënë pas një shembull të pashlyeshëm sakrifice e heroizmi.
Bekim Berisha, i njohur me nofkën “Abeja”, u shqua për trimëri të jashtëzakonshme. Më 29 maj 1998, në Betejën e Junikut, ai u angazhua në mbrojtjen e kësaj zone me rëndësi strategjike, duke kontribuar me vendosmëri që fshati të mos binte në duar të forcave serbe, të cilat kishin rrethuar zonën me arsenal të madh ushtarak.
Pas disa orësh luftimesh të ashpra më 10 gusht 1998, një predhë topi i mori jetën, duke e bërë Bekim Berishën simbol të pavdekësisë dhe të betimit për çlirimin e Kosovës. Rënia e tij dhe e shokëve të armëve ndikoi që Juniku të bie në duar të forcave serbe.
Për heroizmin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në luftën kundër regjimit serb, pas përfundimit të luftës, Shtabi i Përgjithshëm i Trupave Mbrojtëse të Kosovës e dekoroi Bekim Berishën me gradën Gjeneralmajor.