Ish-deputetët austriakë vizitojnë Universitetin e Prishtinës
Një grup ish-deputetësh të Parlamentit Federal të Austrisë, politikanë dhe njerëz të angazhuar në çështje universitare e sociale, gjatë një vizite në Universitetin e Prishtinës shprehën gatishmërinë të ndihmojnë për forcimin dhe zgjerimin e mëtejmë të lidhjeve të shkëlqyeshme mes UP-së dhe universiteteve e partnerëve tjerë austriakë.
Mysafirët u informuan se Universiteti i Prishtinës është institucioni i arsimit të lartë më i vjetri, më i madhi dhe më i suksesshmi i Kosovës dhe i rendituri më së larti në platformat e njohura ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe në Ballkan dhe prandaj edhe në botë.
Para ish-deputetëve austriakë u treguan edhe sfidat dhe përpjekjet e vazhdueshme të menaxhmentit të UP-së për ndërkombëtarizim, përfshirje më të fuqishme të kërkimit shkencor kosovar në platformat e revistat prestigjioze botërore dhe vendosje të Kosovës në hartën globale të dijes dhe përparimit njerëzor.
Gjatë takimit u fol edhe për ndihmën e pakursyer austriake për UP-në dhe Kosovën që nga vitet ’90, kur ky shtet pranoi diplomat e atëhershme të sistemit kosovar të arsimit, kur ai funksiononte në shtëpitë-shkolla, pas largimit të dhunshëm të nxënësve e studentëve nga objektet shkollore dhe universitare.
U përmendën me respekt edhe personalitete austriake si p.sh. Alois Mock e Erhard Busek, të cilët mbështetën fuqishëm Kosovën e arsimin kosovar si në periudhën e okupimit e apartheidit të viteve ’90, ashtu edhe në kohën e pasçlirimit. Emrin e Erhard Busek e mban sheshi pranë Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”.
Delegacioni austriak i kryesuar nga prof. Josef Höchtl, në përbërje të të cilit ishin edhe dr. Ernst Wurz, Margarete Scheuch, mag. Heinrich Scheuch, Stefanie Zobl, Franz Fuchs, Brigitte Wingelmayr, ing. Josef Wöginger, dr. Ernst Wunderbaldinger, di. Eugen Josef Sprenger, Maria Sprenger dhe Flamur Lladrovci, u prit nga rektori, prof. Arben Hajrullahu, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha dhe prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime, prof. Naim Jerliu.
Një ditë më parë Rektoratin e Universitetit të Prishtinës e vizitoi edhe zëvendësambasadorja austriake në Kosovë, Clarissa Castek, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar u zhvillua një takim i ambasadorit austriak në Kosovë, shkëlqesisë së tij, Georg Shchnetzer, me drejtuesit e UP-së.
Universiteti, nga memorandumi i nënshkruar me Programin ShER – Arsimin e Lartë dhe Kërkimin e Qëndrueshëm në Kosovë, vazhdon të mbështetet nga shumë organizata dhe institucione të Austrisë.



