
Ish-deputeti Berisha: Kosova po mbahet peng nga egot personale
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hisen Berisha, ka komentuar situatën politike në vend, moskonstituimin e Kuvendit.
Ai ka thënë se po shohim një bllokadë të qëllimshme, zhagitje të proceseve kushtetuese dhe një mungesë të thellë vullneti për dialog institucional.
“Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë u shpalosën si një mundësi e artë për të rifilluar nga e para – me një mandat të ri, me përgjegjësi të reja dhe me pritje legjitime për ndryshim institucional. Por ajo që pasoi qe një vallëzim i mjerë politik, një sagë seancash të dështuara, lojërash të vogla pushteti dhe, mbi të gjitha, një rikthim alarmant i mendësisë moniste që e konsideron shtetin si pronë të pushtetit të radhës. Në vend të konstituimit dinjitoz të Kuvendit si shtyllë e sovranitetit popullor, kemi parë një bllokadë të qëllimshme, zhagitje të proceseve kushtetuese dhe një mungesë të thellë vullneti për dialog institucional. Asnjë seancë nuk solli zgjidhje; përkundrazi, secila tregoi sa e thellë është kriza e legjitimitetit, e bashkëpunimit politik dhe e respektit për rendin demokratik”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Berisha ka theksuar se mungesa e konsensusit minimal për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, dështimi për të ndërtuar shumicën qeverisëse, dhe mospërfillja e zërit qytetar, e kanë paralizuar Kosovën në një moment vendimtar për të ardhmen e saj.
“Përballë sfidave të mëdha ndërkombëtare dhe nevojës për një qeverisje të qëndrueshme, Kosova po mbahet peng nga egot personale, kalkulimet e vogla elektorale dhe një lidership politik që sillet si në kohën e partisë-shtet. Në vend të pluralizmit funksional dhe ndërtimit të institucioneve mbi dialog, po përballemi me një koncept autokratik të pushtetit, ku kompromisi shihet si dobësi, e ku çdo qëndrim ndryshe etiketohet si tradhti. Ky mentalitet e vret demokracinë nga brenda dhe e shtyn vendin drejt stagnimit institucional dhe izolimit ndërkombëtar. Kjo nuk është krizë vetëm politike por është krizë e vlerave dhe e vizionit”, ka thënë ai.
Berisha ka pohuar se kur politika e sheh shtetin si arenë për dominim absolut, e jo si hapësirë për shërbim publik, atëherë pengohet zhvillimi, vdes shpresa dhe humbet besimi qytetar.