
Ish-deputeti Berisha: Qeveria me votat e Listës Serbe, projekti më i rrezikshëm për shtetin e Kosovës
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hisen Berisha, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, po tenton ta formojë qeverinë e re pa votat e partive shqiptare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sipas tij, LV-ja po përpiqet të mbijetojë në pushtet përmes një formule të rrezikshme që përfshin deputetë të Listës Serbe dhe minoriteteve, duke u mbështetur në një marrëveshje të fshehtë që është përfolur nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla – Schwarz.
“Deklarimet publike të tyre se katër deputetë të Listës Serbe do të ‘rrebelohen’ për të votuar qeverinë Kurti 3, i japin vulë një procesi që e shndërron institucionin më të lartë ekzekutiv të Kosovës në produkt të një pazari politik me Beogradin dhe me kriminelin Milan Radoiçiq. Këtë e kisha paralajmëruar në deklarimet e mia mediale… Parashikova që tre deputetë serb do votonin, duke hequr paralele me tre deputetët e Nismës që pritet të jenë pjesë e koalicionin qeverisës. Pra, qeveria që synohet të formohet nuk është më as produkt i vullnetit të votuesve shqiptarë, as e ndonjë koalicioni të natyrshëm politik. Ajo është projekti më i rrezikshëm që i është bërë sovranitetit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Pra, një qeveri e mbështetur në katër deri gjashtë deputetë të Listës Serbe dhe disa minoritarë të tjerë, që më herët dy prej tyre janë cilësuar si të instrumentalizuar nga strukturat e Beogradit”, ka theksuar ai në një postim të publikuar në “Facebook”.
Berisha ka thënë se sipas skenarit të paralajmëruar, marrëveshja është negociuar në dy nivele. “Në terren me Radoiçiqin, përmes emisarëve të dërguar brenda LV-së, dhe në planin strategjik me Beogradin, ku niveli më i lartë drejtues kanë rolin kyç. Kjo tregon se projekti për ta mbajtur Kurtin në pushtet është ndërkombëtarisht i ndërthurur me interesat serbe dhe për fat të keq me tolerancën e faktorëve perëndimorë evropianë. Për më tepër, ky skenar po mbështetet edhe në një keqinterpretim procedural për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, ka theksuar ish-deputeti Berisha.
Ai ka shtuar në mungesë të një kandidature të dytë nga partia e dytë fituese dhe pa rivotim, partia fituese – edhe nëse kandidati nuk është i saj, por i ndonjë partneri të koalicionit – ka të drejtën ta ofrojë kandidaturën.
“Nëse nuk zgjidhet në raundin e parë, vendi shkon në zgjedhje. Dhe kjo, për momentin, është shpresa për të shpëtuar Kosovën nga një qeveri që po projektohet të formohet me votat e Listës Serbe. Nëse ky skenar realizohet, Kurti do të kthehet në kryeministër jo me përkrahjen e popullit, por si përfaqësues i interesave që më herët i ka quajtur armike të shtetit. Ai do të jetë i varur nga votat e Listës Serbe dhe i detyruar të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2023 si, planin franko-gjerman, marrëveshjen e Ohrit dhe statutin e Asociacionit – dokumente që i japin veriut autonomi të plotë në kuptimin politik, territorial, kulturor dhe të sigurisë. Pranimi i këtyre marrëveshjeve nuk ndodhi rastësisht. Që në shkurt të vitit 2023 Kurti e pranoi nenin 7 të planit franko-gjerman, që përmes konceptit të vetëmenaxhimit hap rrugë për sovranitet paralel në veri”, ka theksuar Berisha, duke shtuar se në tetor 2023 pranoi statutin e Asociacionit, ndërsa në mars, në Ohër përmbylli kapitullin e dorëzimit politik me pranimin e detyrimeve nga marrëveshjet antikushtetuese, pa njohje reciproke.
“Kam paralajmëruar se aleatët evropianë të Kurtit, të cilët e mbështesin në emër të stabilitetit, kanë interes që ai të mbetet në pushtet për ta zbatuar këtë projekt deri në fund. Edhe zgjedhjet në ShBA janë pjesë e kalkulimit të Kurtit & Co: nëse fitojnë liberalët (Biden- Harris), implementimi do të ndodhë në vitin 2025; nëse fitojnë konservatorët (Trump), do të tentohet zbatimi i përshpejtuar. Por faktorë të brendshëm – si ‘Banja ‘23’, tërheqja nga ‘Defender 23’, krizat në Kuvend dhe tensionet në veri – e penguan implementimin, por jo pranimin e detyrimeve që rrjedhin nga këto marrëveshje”, është shprehur Berisha.
Ai ka vazhduar se sot për të mbetur në pushtet, Kurti dhe përkrahësit e tij janë të gatshëm të pranojnë gjithçka, përfshirë edhe votat e Listës Serbe. “Kjo është fatura që paguhet për pushtetin e çdo kushti. Një fushatë që filloi me retorikë anti-serbe, po përfundon me pakt politik me Beogradin. Kjo është drama e një Kosove që po shitet copë-copë, në emër të stabilitetit, për interesa të jashtme dhe me çmimin e lartë të shuarjes së sovranitetit të saj kushtetues”, ka deklaruar ish-deputeti Berisha