
Ish-deputetja Ismaili thotë se Gërvalla ishte pengesë për ndërtimin e aleancave të qëndrueshme
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Besa Ismaili, ka theksuar se bllokada në Kuvend është sport i lehtë për një pushtet që me aq lehtësi dhe pashpirtësi e ka bllokuar edhe vetë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Sipas saj, diplomacia nuk është art i përçarjes, por i ndërtimit të urave, art që presidenti Hashim Thaçi e zotëronte me mjeshtëri.
“Ndërsa për znj. Gërvalla, detyra e vetme ku do duhej të angazhohej me kaq pasion, nuk është hija e president Hashim Thaçit, por ndërtimi i urave dhe pajtimi mes fytyrave të saj të shumta dhe të shëmtuara politike që reflektojnë urrejtje, injorancë dhe përçarje, fillimisht me veten, e pastaj me të tjerët”.
“Paramendoni ç’barrë për politikën e jashtme dhe ç’pengesë për ndërtimin e aleancave të qëndrueshme ka qenë një ministre si Donika Gervalla!”, ka shkruar Ismaili në Facebook.
Ajo ka thënë se “partnerët ndërkombëtarë nuk janë të verbër ndaj përçarësve të brendshëm dhe ata nuk pranojnë lobime nga zëra të pabesë për vendin e vet, zyrtarë jokompetentë dhe të izoluar diplomatikisht si znj. Donika Gërvalla”.