Ish-drejtuesit e UÇK-së do të dalin faqebardhë

17 nëntor 2020 | 11:09

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, i ka quajtur të dëmshme për vendin dhe luftën çlirimtare akuzat e ngritura kundër ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pavarësisht kësaj, Lekaj në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se nuk ka aktakuzë që mund ta ndryshojë luftën e drejtë të UÇK-së.

“Ne luftuam për liri dhe të drejtat tona. Luftuan për t’i mbijetuar shtypjes dhe represionit. Nuk ka aktakuzë apo akuzë që të mund ta ndryshojë këtë”, ka thënë ai. Lekaj ka vlerësuar se e vërteta e UÇK-së do të dalë në dritë gjatë procesit gjyqësor në Hagë.

Në këtë kontekst, ai është shprehur i bindur se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Sali Mustafa do të dalin të pafajshëm.

“Pres që të dalin faqebardhë ata dhe të gjithë ne, UÇK-ja dhe Kosova. Nuk luftuam se na pëlqen lufta, por sepse nuk patëm dhe nuk na lanë zgjidhje tjetër. E provuam me politikë paqësore dhe negociata, ndërsa Beogradi u përgjigj me dhunë, gjenocid dhe masakra”, ka deklaruar Lekaj, duke shtuar se mbrojtja e UÇK-së duhet të jetë në fokusin e të gjithëve.

“Duhet ta mbrojmë atë sepse është e shenjtë, sepse është themeli i pavarësisë së Kosovës. Sigurisht se duhet bërë më shumë. Gjithmonë do të ketë hapësirë për të bërë më shumë, jo vetëm sot, por për jetë e mot”, ka thënë Lekaj.

Më tutje, Lekaj ka folur për kërkesën e opozitës që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe propozimin e AAK-së që Ramush Haradinaj të jetë president.

Lekaj ka thënë se qëndrimi i AAK-së është i qartë: ose Haradinaj president, ose vendi shkon në zgjedhje. “Qëndrimi ynë është i qartë, të biem dakord për ta zgjedhur presidentin. Nëse jo, zgjedhjet mbeten opsion. Nuk mund të lejojmë vakuum kushtetues”, ka deklaruar Lekaj.

“Epoka e re”: Z. Lekaj, si i vlerësoni zhvillimet e fundit në Kosovë pas aktakuzave të Gjykatës Speciale kundër ish-drejtuesve të UÇK-së?
Lekaj: Aktakuzat e Gjykatës Speciale janë të dëmshme së pari për Kosovën dhe luftën e saj për liri dhe pavarësi, por liria dhe UÇK-ja kanë emër dhe ata që janë në Hagë janë pjesë e kësaj ushtrie, të një populli që po luftonte për të drejtat e veta. Jemi të sigurt se e vërteta e Kosovës, e vërteta e UÇK-së dhe e vërteta e tyre do të dalë në dritë të diellit ashtu siç ka dalë në rastin e Ramush Haradinajt më shumë se një herë, të Fatmir Limajt dhe të tjerëve.

 “Epoka e re”: E keni lexuar aktakuzën kundër krerëve të UÇK-së? Cilat janë komentet tuaja në raport me këtë aktakuzë?
Lekaj: Nuk komentoj as aktakuza e as akuza ndaj UÇK-së. E vërteta historike mbetet ajo që ka qenë dhe është. Ne luftuam për liri dhe të drejtat tona. Luftuam për t’i mbijetuar shtypjes dhe represionit. Nuk ka aktakuzë apo akuzë që të mund ta ndryshojë këtë.

“Epoka e re”: Çfarë prisni nga procesi gjyqësor që është duke u zhvilluar në Hagë?
Lekaj: Pres që të dalë në shesh e vërteta. Pres që të dalin faqebardhë ata dhe të gjithë ne, UÇK-ja dhe Kosova. Nuk luftuam se na pëlqen lufta, por sepse nuk patëm dhe nuk na lanë zgjidhje tjetër. E provuam me politikë paqësore dhe negociata, ndërsa Beogradi u përgjigj me dhunë, gjenocid dhe masakra.

“Epoka e re”: Derisa në Hagë gjenden ish-presidenti, dy ish-kryeparlamentarë dhe shefi i grupit parlamentar i partisë më të madhe në vend, vlerësoni se institucionet dhe partitë politike janë në nivel të detyrës, kur është në pyetje mbrojtja e luftës çlirimtare?
Lekaj: Lufta çlirimtare duhet të jetë në fokus të të gjithëve. Duhet ta mbrojmë atë sepse është e shenjtë, sepse është themeli i pavarësisë së Kosovës. Sigurisht se duhet bërë më shumë. Gjithmonë do të ketë hapësirë për të bërë më shumë, jo vetëm sot, por për jetë e mot.

“Epoka e re”: Z. Lekaj, në këtë situatë a janë të favorshme zgjedhjet të cilat është duke i kërkuar opozita?
Lekaj: Opozita ka të drejtë të kërkojë atë që mendon se është zgjidhje e mirë sipas saj, ndërsa ne kemi qëndrimet tona. Duhet të bisedojmë me njëri-tjetrin për ta zgjedhur presidentin dhe AAK-ja e ka bërë tashmë propozimin e saj, Ramush Haradinajn.

“Epoka e re”: Prisni që partitë politike do të gjejnë një zgjidhje sa i përket postit të presidentit, apo zgjedhjet do të jenë të pashmangshme?
Lekaj: Qëndrimi ynë është i qartë, të biem dakord për ta zgjedhur presidentin. Nëse jo, zgjedhjet mbeten opsion. Nuk mund të lejojmë vakuum kushtetues.

Albulena S. MAVRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moderatorja e njohur e sportit, Lei Kraja, ka zbuluar një…