Ish-gardiania e burgut: Si e njoha Nexhmije Hoxhën në burgun “313”

07 janar 2026 | 13:40

Vera Picari është një nga ato gra që jeta i ka vënë përballë sfida të forta, por që kurrë nuk është dorëzuar. Sot jeton dhe punon mes Londrës, Italisë dhe Tiranës, ndërsa pasioni i saj më i madh mbetet muzika. Por pak kush e di se vite më parë, Vera ka punuar si gardiane në një nga burgjet më të njohura të vendit.

Në një rrëfim për Report TV, Vera Picari kujton periudhën kur, vetëm 19 vjeçe, nisi punën si gardiane në Burgu 313.

“Isha shumë e re kur u bëra gardiane burgu. Babai kishte folur për këtë punë dhe, çuditërisht, u gëzova shumë kur mora lajmin. Burgu 313 ishte pranë shtëpisë sime dhe nuk e mendoja kurrë se do të punoja aty. Ishim vetëm katër gardiane gra që punonim me turne,” rrëfen ajo.

Vera punoi në burgun 313 deri në vitin 1993, përpara se të largohej drejt Italisë. Ajo e përshkruan punën si të vështirë, për shkak të izolimit dhe presionit psikologjik, por edhe si një përvojë që i ka mbetur thellë në kujtesë.

Një nga episodet më të ndjeshme të asaj kohe lidhet me kontaktin e saj me Nexhmije Hoxha, e veja e ish-diktatorit.

“Për Nexhmije Hoxhën më vinte keq. Kishte ditë që flisnim dhe ditë që nuk flisnim fare. Ajo ankohej shpesh, thoshte se mosha e saj nuk duhej ta gjente aty, në burg, dhe e quante padrejtësi,” tregon Vera.

Sipas saj, Nexhmije Hoxha kërkonte shpesh përgjigje dhe biseda njerëzore, ndërsa Vera përpiqej ta ndihmonte thjesht për njerëzillëk, pavarësisht se edhe vetë vinte nga një familje me vështirësi ekonomike.

“Edhe pse në shtëpi nuk kishim shumë, mamaja e ndante një vezë në disa pjesë, prapë për Nexhmijen më vinte keq. Kur i çoja çaj dhe ai ftohej, mërzitej. Më thoshte shpesh: ik nga këtu, mos rri në këtë vend,” kujton ajo.

Në atë periudhë, në të njëjtin burg ndodheshin edhe figura të tjera të njohura të politikës shqiptare, si Ramiz Alia, Fatos Nano dhe Hekuran Isai.

Sot, Vera Picari është rikthyer në Tiranë për të vijuar projektet e saj muzikore, duke realizuar këngë dhe klipe të reja.

“Jam shumë e lidhur me Shqipërinë, jo vetëm për familjen, por edhe për muzikën që krijoj, sidomos për tabanin,” përfundon ajo.

Rrëfimi i saj mbetet një dëshmi njerëzore e një periudhe të errët, parë nga sytë e një vajze të re që përballoi realitetin e burgut pa humbur ndjeshmërinë dhe humanizmin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liridon Ahmeti është emëruar drejtori i ri sportiv i Gjilanit.…