
Ish-gjenerali i UÇK-së: Gjykimi në Hagë, sulm ndaj luftës çlirimtare, jo ndaj individëve
Një bashkëluftëtar i ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë, ka shpresa që ata së shpejti do të dalin të pafajshëm dhe do të rikthehen në Kosovë.
Ish-gjenerali i UÇK-së, Hisen Berisha ka deklaruar se pavarësisht zvarritjeve, procesi në Hagë duhet të përfundojë me pafajësinë e tyre.
Berisha thotë se atje po zhvillohet një proces politik.
“Shanset janë reale dhe çdo ditë po rriten. Çdo dëshmi e re, sidomos nga personalitete ndërkombëtare, dëshmon se nuk kemi të bëjmë me krime të organizuara të UÇK-së, por me një proces politik për ta njollosur atë. Pavarësisht zvarritjeve, procesi duhet të përfundojë me pafajësi”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka deklaruar se procesi gjyqësor në Hagë nuk është një gjykim ndaj individëve, por një sulm i drejtpërdrejtë ndaj luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ky proces në Hagë nuk është proces kundër individëve, por kundër vetë luftës sonë çlirimtare. Ne si komb duhet ta themi me zë të lartë të vërtetën – UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë, të njohur dhe të mbështetur nga SHBA dhe aleatët tanë”, tha ai.
Sipas tij, dëshmitë e fundit nga personalitete me autoritet ndërkombëtar tregojnë qartë se po tentohet kriminalizimi i një lufte të drejtë.
“Dëshmitë e fundit, sidomos ato të personaliteteve me kredibilitet ndërkombëtar, tregojnë qartë se nuk kemi të bëjmë me një proces të bazuar mbi të vërtetën e luftës çlirimtare, por me një përpjekje për ta kriminalizuar atë. Këto dëshmi janë të rëndësishme sepse e vendosin në binar të ri narrativën e gjykatës dhe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në vlerësimin përfundimtar”, u shpreh Berisha.
Berisha thotë se këto dëshmi mund të ndryshojnë rrjedhën e procesit dhe të ndihmojnë në rivendosjen e së vërtetës historike për UÇK-në.
“Ato vërtetojnë se UÇK-ja ishte një luftë e drejtë, çlirimtare dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe se udhëheqësit e saj nuk mund të ngarkohen me përgjegjësi që nuk u takojnë. Dëshmia e zyrtarëve të lartë amerikanë dhe britanikë ka peshë të jashtëzakonshme”, potencoi Berisha për “Front Online”.